Lidhje

Refugjatët në malin Sinjar


Kryeministri britanik David Cameron thotë se një plan ndërkombëtar po hartohet për të shpëtuar mijëra pjesëtarë të pakicës jazidi dhe pakicave të tjera, të bllokuar nga luftëtarët e Shtetit Islamik në një mal në Irakun verior.

Zoti Cameron ndërpreu sot pushimet në Portugali, duke u kthyer në Londër për t’u takuar me këshilltarët për krizën humanitare në Malin Sinjar në Irak.

Ai hodhi poshtë kërkesat e disa ligjvënësve britanikë për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak. Por ai tha se Britania do të luajë një rol në planin e shpëtimit, ashtu siç ka bërë deri tani me Shtetet e Bashkuara, duke i hedhur ushqim dhe ujë refugjatëve, disa prej të cilëve kanë vdekur nga nxehtësia e skajshme.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, këshilltari për sigurinë kombëtare Ben Rhodes tha se Presidenti Barack Obama do të vendosë brenda disa ditësh nëse do të dërgojë apo jo trupa ushtarake për të shpëtuar personat e bllokuar në malin Sinjar.

Franca tha sot se po u dërgon armë forcave kurde në Irak për t’i ndihmuar që të luftojnë ekstremistët e grupit Shteti Islamik që kanë marrë nën kontroll zona të gjera në Irakun verior dhe perëndimor, duke mos hasur thuajse asnjë qëndresë nga ushtria irakiane.

Presidenti i rajonit autonom kurd të Irakut, Massoud Barzani i kërkoi në fillim të javës ndihmë komunitetit ndërkombëtar për të luftuar militantët dhe dje Bashkimi Evropian nuk arriti të binte dakord për një marrëveshje për të dërguar armë, por tha se shtete të veçanta ishin të lira të bënin marrëveshje me Irakun.

Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar gjithashtu 130 këshilltarë të tjerë ushtarakë në Irakun verior për të ndihmuar irakianët e zhvendosur që janë bllokuar në një mal nga ekstremistët myslimanë suni.

Ndërkohë, kryeministri aktual i Irakut, Nouri al-Maliki thotë se nuk do ta dorëzojë pushtetin derisa një gjykatë federale të japë vendim për vendimin e Presidentit Fouad Massoum për të emëruar Haider al-Abadin në postin e kryeministrit.

XS
SM
MD
LG