Lidhje

33 të vrarë nga dhuna në Irak


Në sulme të veçanta në mbarë Irakun janë vrarë të paktën 33 persona dhe dhjetra të tjerë janë plagosur.

Dje në qytetin Suvajra, në jug të Bagdadit, një sulmues vetëvrasës përplasi makinën e tij të ngarkuar me eksploziv në një postbllok të policisë, duke vrarë të paktën 10 vetë dhe duke plagosur më shumë se 17 të tjerë.

Në qytetin e afërt, Madejn, një tjetër sulmues vetëvrasës goditi me makinë një postbllok të ushtrisë, duke vrarë dy ushtarë dhe duke plagosur pesë të tjerë.

Shpërthimi i një bombe në anë të rrugës shkaktoi vrasjen e një ushtari irakian dhe plagosjen e tre të tjerëve në qytetin verior Mishada. Në Latifja, rreth 30 kilometra në jug të Bagdadit, persona të armatosur qëlluan me një breshëri të shtënash nga një makinë në lëvizje duke vrarë një civil dhe duke plagosur dy të tjerë.

Katër sulme me bomba goditën pjesë të ndryshme të Bagdadit të hënën në mbrëmje, duke shkaktuar vrasjen e të paktën 14 personave dhe plagosjen e 40 të tjerëve.
Zyrtarët mjekësorë konfirmuan numrin e të vrarëve nga sulmet në mbarë vendin.

Askush nuk e mori përgjegjësinë për këto sulme, por dhuna në mbarë Irakun është rritur ndërkohë që militantët vazhdojnë përpjekjet për të minuar qeverinë e drejtuar nga partitë shiite përpara zgjedhjeve parlamentare të 30 prillit.
XS
SM
MD
LG