Lidhje

Ofensiva në Mosul, shënohen suksese


Udhëheqësit kurdë njoftuan për disa suksese të arritura gjatë ofensivës tokësore që filloi të hënën nga forcat irakiane. Ofensiva ka për qëllim marrjen e kontrollit të qytetit verior të Mosulit nga militantët e Shtetit Islamik.

Që nga ora 6 e mëngjesit sipas orës lokale, “200 kilometra katrore janë çliruar nga Shteti Islamik”, tha presidenti kurd Masoud Barzani, gjatë një konference shtypi të transmetuar me televizion.

"Mosuli ka për t’u çliruar," - tha Barzani, duke shtuar se luftëtarët e tij janë duke bërë më të mirën për të mos lejuar që qyteti të shndërrohet në një “tjetër Aleppo", duke ju referuar qytetit sirian të përfshirë për një kohë të gjatë nga luftimet.

Fushata e parashikuar prej një kohe të gjatë është operacioni më i madh ushtarak në Irak, që pas largimit prej andej të forcave amerikane, 5 vjet më parë dhe ka shqetësime lidhur me sigurinë e qindra mijëra civilëve në rajon.

Në operacion janë përfshirë forca të shumta: luftëtarë kurdë, policë ferderalë, luftëtarë nga fiset suni, krahas me sulmet ajrore dhe mbështetje me mjete të tjera nga koalicioni nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, që prej dy vjetësh është duke luftuar me ekstremistët e Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri.

Zyrtarët amerikanë e kanë përshkruar operacionin “një moment vendimtar” në fushatën kundër Shtetit Islamik, që ka pësuar humbje të njëpasnjëshme dhe që është kufizuar kryesisht në rajonin e Mosulit në Irak. Por ata janë shprehur se operacioni mund të zgjasë për javë me radhë, madje edhe më gjatë.

Për të paralajmëruar banorët, para fillimit të ofensivës, forcat ajrore irakiane hodhën mijëra fletushka në Mosul.

Punonjësit humanitarë thonë se nuk është e qartë se ç’do të bëhet me popullsinë civile të qytetit. Ata kanë kritikuar organizatorët e operacionit që nuk kanë identifikuar rrugët e shpëtimit për civilët. Agjencia e Refugjatëve tha sot se pritet që rreth 100 mijë irakianë të largohen nga Mosuli, në derejtim të Sirisë dhe Turqisë. Komisoneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët bëri thirrje për një fond shtesë prej 61 milionë dollarësh për të siguruar tenda dhe pajisje të tjera të nevojshme për personat e zhvendosur brenda Irakut dhe për refugjatët që pritet të kërkojnë strehim në të dy vendet fqinjë.

Banorët e Mosulit të kontaktuar me telefon dhe me Skype thonë se luftëtarët e ISIS-it kanë bllokuar rrugët dhe urat kryesore brenda dhe jashtë qytetit. Xhihadistët janë përhapur në të gjithë qytetin dhe kanë vendosur kudo mina dhe lëndë shpërthyese. Ata i kanë paralajmëruar civilët të mos përpiqen për t’u larguar.

Operacioni për marrjen e kontrollit të Mosulit pritej prej javësh, por ka patur mosmarrëveshje mes anëtarëve të koalicionit lidhur me mënyrën e qeverisjes së rajonit, pas çlirimit nga forcat ekstremiste dhe se kush do të përfshihet në luftën kundër ISIS-it. Në fillim të muajit kurdët deklaruan se çdo territor që u përket peshmegrëve kurdë do të mbetet pjesë e Kurdistanit, gjë që ka shkaktuar zemërimin e qeverisë së Bagdadit të dominuar nga shiitët.

XS
SM
MD
LG