Lidhje

Irlandezët votojnë për amendamentin mbi abortin


Irlandezët votojnë sot për të vendosur nëse do të mbajnë apo do të shfuqizojnë një amendament kushtetues i cili ndalon kryerjen e aborteve në shumicën e rasteve.

Amendamenti daton vitin 1983 dhe fillimisht ndalonte të gjitha abortet. Falë një ndryshimi të bërë pesë vjet më parë, u lejua kryerja e aborteve vetëm në rastet kur rrezikohej jeta e nënës.

Nëse në referendumin e sotëm votuesit vendosin t’i lehtësojnë edhe më tej kufizimet ligjore lidhur me këtë çështje, qeveria e kryeministrit Leo Varadkar synon që deri në fund të vitit të nxjerrë ligjin që do të lejojë kryerjen e aborteve pa kufizime, deri në 12 javët e para të shtatzanisë.

Sondazhet e fundit të opinionit publik tregojnë se shumica e njerëzve e mbështesin heqjen e ndalimit ndaj abortit.

Aktualisht mijëra gra udhëtojnë çdo vit nga Irlanda për në Britani për të kryer aborte.

Numërimi i votave të referendumit është parashikuar të nisë të shtunën në mëngjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG