Lidhje

Irlanda voton pro të drejtës për abort


Në Irlandë, një zyrtar i zgjedhjeve kofirmoi fitoren dërrmuese të aktivistëve për të drejtën e abortit në referendumin e së shtunës. Rezultati i referendumit bën të mundur shfuqizimin e amendamentit kushtetues të 1983 që ndalonte abortin përveç rasteve shumë të rralla.

Mbi 1.3 milionë vetë votuan pro shfuqizimit të amendamentit, ndërsa afro 650 mijë të tjerë votuan kundër.

Sipas kryeministrit, i cili foli para se të dilnin rezultatet zyrtare, duket se votuesit kanë thënë fjalën e tyre pro liberalizimit të ligjeve tepër të forta irlandeze kundër abortit. Në ligjet aktuale aborti lejohet vetëm në rastet kur jeta e nënës është në rrezik.

Edhe vetë kryeministri, me profesion mjek, ka lobuar në favor të ndryshimeve për liberalizim.

Grupet aktiviste kanë luftuar prej më shumë se tre dekadash për të shfuqizuar amendamentin e tetë të kushtetutës që ndalon abortin. Aktivistët e përshëndetën referendumin si një sukses madhor në këtë vend me shumicë katolike, i cili gjatë dekadave të fundit po përjeton një valë liberalizmi social.

Një aktiviste pro të drejtës së abortit tha se me miratimin e referendumit, Irlanda lë pas traditën ku gruaja trajtohej si qytetare e klasit të dytë dhe përqafon një ndryshim monumental për gruan irlandeze.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG