Lidhje

Vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit pas uraganit


Në ishujt Keys të Floridës vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për njerëzit e bllokuar nga uragani Irma.

Njoftohet se 24 persona kanë gjetur vdekjen në rrethana që kanë lidhje me uraganin.

Midis të vdekurve në Florida ishin gjashtë pacientë në një azil të moshuarish në qytetin Hollivud, mes Majamit dhe Fort Loderdejll.

Kryebashkiakja e Qarkut Broward, Barbara Sharief tha se azili u evakuua të mërkurën për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Tre vetë u gjetën të vdekur gjatë evakuimit dhe tre të tjerë ndërruan jetë pas arritjes në spital.

Policia ka hapur një hetim penal për vdekjet në Qendrën e Rehabilitimit Hollywood Hills.

Në Shtetet e Bashkuara me dhjetëra miliona dollarë u mblodhën gjatë një transmetimi televiziv në rang kombëtar si pjesë e fondi ndihme për viktimat e uraganëve Irma dhe Harvey.

Disa nga yjet më të mëdhenj në fushën e artit iu përgjigjën telefonave të shikuesve me qëllim mbledhjen e ndihmave dhe bënë thirrje për më shumë mbështetje.

Të dielën uragani Irma goditi ishujt Keys të Floridas dhe u ngjit në bregun perëndimor, duke shkaktuar përmbytje dhe shkatërrim në të gjithë shtetin, ndërsa muajin e kaluar Harvey goditi shtetin juglindor të Teksasit.

Të dy stuhitë shkaktuan miliarda dollarë dëme në Shtetet e Bashkuara dhe në Karaibe. Në Karaibe, uragani ka lënë të paktën 37 të vdekur.

Ndërkaq, Presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi të mërkurën Shën Martinin dhe Shën Barthelemin në Karaibe ndërsa sekretari i jashtëm britanik Boris Johnson u nis për në Anguilla dhe në ishujt britanikë Virgin, që u goditën rëndë nga uragani Irma.

Të dy udhëheqësit premtuan më shumë mbështetje për viktimat e stuhisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG