Lidhje

Uragani Irma shkakton shkatërrim, shkon drejt Floridës


Qendra e uraganit Irma po zhvendoset përtej Republikës Domenikane, si një stuhi e kategorisë 5 që mund të ketë pasoja katastrofike.

Qendra Kombëtare amerikane e Uraganëve thotë se megjithëse syri i stuhisë është larg nga brigjet e vendit, erërat e Irmës, fryrja e ujrave dhe reshjet e shiut vazhdojnë të jenë vdekjeprurëse për Republikën Domenikane. Të njëjtat kushte priten të enjten vonë në Ishujt Turks dhe Caicos dhe në Bahamas.

Irma shkaktoi vdekjen e të paktën një personi në Barbuda dhe tetë të tjerëve në St. Martin, pasi përshkoi ata ishuj si një stuhi e Kategorisë 5 me erëra që kapën shpejtësinë maksimale prej 285 kilometrash në orë. Qendra e Uraganëve thotë se Irma do të mbetet një stuhi e kategorisë 4 ose 5 për disa ditë.

Irma kaloi në Porto Riko gjatë natës, duke lënë pa energji elektrike rreth 1 milionë vetë. Kreu i kompanisë elektrike në këtë territor amerikan tha se mund të duhen katër deri në gjashtë muaj derisa energjia të rikthehet plotësisht.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Porto Riko. Ky veprim e autorizon Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, për të koordinuar përpjekjet kundër katastrofave në ishull.

Të shtunën, Irma pritet të prekë Floridën. Parashikimet më të fundit tregojnë se uragani do të shkojë pranë Majamit dhe do të kalojë në bregun lindor të shtetit.

Zyrtarët në pjesën jugore të Floridës kanë urdhëruar evakuimin e banorëve në zonat pranë bregut. Të mërkurën kishte radha të gjata në qendrat e karburantit dhe dyqanet e ushqimeve, ndërsa njerëzit largoheshin për të shkuar në zona më të sigurta, ose donin të furnizoheshin me ushqime të mjaftueshme sa të kalonte stuhia.

Guvernatori i Floridës, Rick Scott u tha banorëve që të përgatiteshin tani dhe të mos shpërfillin urdhrat për evakuim të detyrueshëm.

"Shtëpitë mund t’i rindërtoni, por jetën nuk e ktheni dot”, tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG