Lidhje

Partia Likud e Netanyahut – fituese e zgjedhjeve në Izrael


Me 30 vende në parlamentin 120 vendesh, Benjamin Netanyahu synon mandatin e katërt si kryeministër i Izraelit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot se ka në plan të përpiqet të formojë një qeveri gjatë dy-tre javëve të ardhëshme, gjë që do t'i jepte atij mandatin e katërt si kryeministër i vendit pas fitores në zgjedhje të partisë së tij konservatore, Likud. Zoti Netanyahu tha në ditët e fundit të fushatës se ai kurrë nuk do të mbështeste një shtet palestinez, duke ndryshuar pozitën që kishte mbajtur gjatë administratës së tij.

Pas numërimit të pothuajse të gjitha fletëve të votimit, partia Likud ka marrë 30 vende në parlament duke spostuar kështu rivalen kryesore, partinë Bashkimi Zionist.

Zoti Netanyahu e deklaroi fitoren e partisë së tij disa orë pasi numërimi përfundimtar kishte mbaruar.

“Përballemi me sfida të mëdha. Nuk mund t’i përmed të gjitha, por mund të them me siguri se qëndrojmë përballë sfidave diplomatike dhe të sigurisë.”

Një deklaratë e zyrës sç zotit Netanyahu tha se ai kishte komunikuar me partitë e vogla për të formuar koalicionin e nevojshëm qeverisës prej 61 vendesh. Partia Kulanu e qendrës, me dhjetë vende në parlament, ka një rol kyç.

Ndërkohë, zyrtari i Autoritetit Palestinez, Abdullah Abdullah shprehu zhgënjim për rezultatet.

“Fatkeqësisht, duket se Likud do të formojë qeverinë e ardhëshme, që do të thotë se politikat e vjetra do të vazhdojnë. Netanyahu ishte shumë i qartë në fushatën e ditëve të fundit se kurrë nuk do të lejojë një shtet palestinez, nuk do të tërhiqet nga territoret e pushtuara palestineze, Jeruzalemi do të qendrojë i bashkuar si kryeqytet i Izraelit dhe kjo nënkupton se të gjitha gjasat për negociata paqeje janë të mbyllura.”

Udhëheqësi i Bashkimit Zionist, Isaac Herzog, partia e të cilit fitoi 24 vende, pranoi humbjen në zgjedhje dhe përshëndeti zotin Netanyahu përmes një telefonate. Ai u tha gazetarëve se partia e tij do të vazhdojë të punojë për popullin izraelit si pjestare e opozitës.

Disa anketa kishin parashikuar se Bashkimi Zionist do të dilte i pari në zgjedhje.

XS
SM
MD
LG