Lidhje

Ish-Sekretari i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, boton libër kujtimesh


Ish-Sekretari i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, boton libër kujtimesh
Ish-Sekretari i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, boton libër kujtimesh

Ish-Sekretari i Mbrojtjes Donald Ramsfeld e pranon se një nga pikat më të ulëta të karrierës së tij ishte viti 2004 kur u shfaqën fotografitë që tregonin ushtarë amerikanë duke keqtrajtuar të burgosurit në Abu Graib të Irakut.

“Pastaj papritur u shfaqën ato fotografi...ishte shumë trishtuese, si të të godasin me grusht në bark. Dhe fillon të mendosh: kemi kaq shumë të rinj dhe të reja të mrekullueshëm në ushtri dhe reputacioni i tyre njolloset nga ata që keqtrajtuan të burgosurit. Ishte e pahijshme, anormale, e neveritshme, e dhimbshme dhe unë u ndjeva jashtëzakonisht keq”.

Kritikat e ashpra ndërkombëtare për abuzimin dhe interesi i publikut për hapat që do të merrte Sekretari i Mbrojtjes për akuzat, sollën si rezultat të parin mes disa rasteve kur Ramsfeld i paraqiti dorëheqjen Presidentit Bush.

“Ai nuk e pranoi, ashtu si edhe të nesërmen apo tri ditë më pas. Unë ia dorëzova përsëri dukë i thënë që ishte gabim që të mos më lejonte të largohesha. Dikush duhet të vuante pasojat”.

Në librin e tij të ri më kujtime, zoti Ramsfeld shprehet se Presidenti Bush gaboi kur nuk e pranoi dorëheqjen e tij, pas skandalit.

“Tani mendoj se do të kishte qenë veprimi i duhur dhe se unë kisha të drejtë, ndërsa ai jo”.

Titulli i librit “Të ditura dhe të paditura” është marrë nga një konferencë shtypi në Pentagon në shkurt 2002, kur zoti Ramsfeld iu përgjigj pyetjes së një gazetari mbi lidhjet mes organizatave terroriste dhe Sadam Huseinit.

“Ka gjëra që dihen; ka gjëra që ne e dimë që i dimë. Gjithashtu ne dimë që ka të paditura që dihen; pra ka ca gjëra që ne nuk i dimë. Por ka gjithashtu edhe të panjohura të panjohura, ato që ne nuk i dimë që nuk i dimë”.

Një vit pas këtyrë komenteve, Shtetet e Bashkuara filluan ndërhyrjen në Irak, mbështetur pjesërisht në informacione zbulimi të pasakta, sipas së cilave Sadam Huseini kishte armë kimike. Zoti Ramsfeld thotë se është i bindur që informacionet ishin të sakta, bazuar tek personat me të cilët ai kishte folur.

“Më kujtohet kur u takova me Presidentin e Egjiptit Mubarak dhe ai tha se ishte e sigurt që Sadam Huseini do të përdorte armë kimike kundër forcave të Shteteve të Bashkuara dhe koalicionit, sa më pranë t’i afroheni Bagdadit. Dhe kjo bindje ekzistonte në gjithë rajonin.

Ju të gjithë e keni dëgjuar fjalimin e Kolin Pauellit në Kombet e Bashkuara. Ky është një person që është marrë me materiale zbulimi gjatë gjithë karrierën së tij. Ai ndoshta kishte më shumë informacion dhe përvojë se gjithkush tjetër dhe bëri prezantimin në OKB dhe para botës në emër të Shtetevë të Bashkuara, me bindje të plotë se ajo që po thoshte ishte e saktë”.

Zoti Ramsfeld e pranon që pati një zhgënjim të madh që nuk u gjetën armë të shkatërrimit në masë. Ato informacione bindëse zbulimi janë diskredituar vitet e fundit.

Koalicini i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak e arriti objektivin e rrëzimit të Sadam Huseinit nga pushteti. Ai u gjykua në një gjykatë irakiane dhe u ekzekutua në dhjetor 2006.

Por lufta kundër terrorizmit në Afganistan vazhdon, pothuajse 10 vjet që kur filloi në kohën kur Ramsfeld ishte Sekretar Mbrojtjeje në tetor 2001. Osama bin Laden deri tani nuk është kapur nga forcat amerikane. Zoti Ramsfeld thotë se megjithëse ai nuk është kapur, pushteti dhe ndikimi i tij janë dobësuar.

“Ai ka vështirësi për të komunikuar, për të udhëtuar. Shpresoj që ta ketë të vështirë edhe rekrutimin dhe mbledhjen e fondeve. Dhe shpresoj që dikush në botë ta gjejë”.

Zoti Ramfeld u largua nga detyra në vitin 2006, pasi republikanët humbën shumicën në të dyja dhomat e Kongresit në zgjedhjet e atij viti. Humbja iu atribua pjesërisht zemërimit me mungesën e përparimit në Irak dhe rritjes së numrit të viktimave.

XS
SM
MD
LG