Lidhje

Gratë britanike dhe Shteti Islamik


Autoritetet britanike kanë qarkulluar një video që synon parandalimin e radikalizimit të grave myslimane në Britani prej propagandës së grupit Shteti Islamik. Në film trajtohen rastet e disa grave myslimane që kanë udhëtuar drejt Sirisë për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, duke marrë shpehherë me vete edhe familjet e tyre.

Një ndër videot më të fundit propagandistike të Shtetit Islamik, tregon një djalë të vogël me theks britanik, i cili bën thirrje për “vrasjen e jobesimtarëve”.

4-vjeçari Isa Dare u njoh në video nga Sunday Dare, gjyshi i tij në Londër. E jëma, Grace, pati udhëtuar drejt Sirisë në vitin 2012 dhe u martua atje. Ajo nxori foto të Isait në Twitter:

“Ajo duhet të kthehet dhe të përballet me realitetin, pasi ka tradhëtuar edhe vetveten.”

Grace Dare është një ndër 50 gratë që kanë shkuar në Siri për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

Një shqetësim i tillë i ka shtyrë autoritetet britanike të qarkullojnë një video për të kundërshtuar propagandën e ISIS-it:

“Jemi shumë të shqetësuar për numrin e grave, vajzave, dhe familjeve të tëra që vendosin të shkojnë në Siri. Nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet që i presin.”

Tre nëna refugjate siriane rrëfejnë këto rreziqe në video:

“Fëmijët tuaj jetojnë tani të sigurtë; u ofrohet shkollimi, një jetë e mirë dhe një e ardhme e bukur. Atëherë, përse i merrni me vete në një zonë lufte?”

Eksperti kundër terrorizmit, Afzal Ashraf, ka intervistuar shumë gra që janë arratisur prej territorit të Shtetit Islamik:

“Janë histori grash që i kanë detyruar të ndajnë burrat e tyre dhe të martohen me të tjerë; gra të ndara nga familjet e tyre; gra që janë vrarë sepse nuk kanë respektuar kodin e veshjes; gra që janë përdhunuar dhe shumë tmerre të tjera.”

Mendohet se rreth 800 nënshtetas britanikë janë larguar për t’iu bashkuar Shtetit Islamik. Kjo shifër e lartë ka ngjalluar kritika ndaj strategjisë së ndjekur nga qeveria për të parandaluar radikalizimin.

“Të gjykosh suksesin e strategjisë së parandalimit do të thotë të mundohesh të masësh diçka që nuk ka ndodhur. Sa njerëz nuk u radikalizuan? Ky është vetë objektivi i strategjisë dhe si i tillë është e vështirë të matet.”

Zoti Ashraf thotë se si mjet kryesor rekrutues i ISIS-it ka shërbyer suksesi në fushëbetejat në Irak dhe Siri:

“Nëse u rimerret ky territor, atëherë nuk mund të pretendojnë se kanë sukses dhe rrjedhimisht do të humbasin forcën joshëse.”

Ekzistojnë shpresat se fitoret e fundit strategjike kundër Shtetit Islamik, si p.sh. rimarrja e Ramadit nga forcat irakiane, do të zvogëlojnë territorin e ISIS-it dhe për pasojë edhe ndikimin që ushtron mbi myslimanët e radikalizuar.

XS
SM
MD
LG