Lidhje

Lufta kundër ISIS – armiku po sofistikohet


Komandanti më i lartë amerikan thotë se militantët e Shtetit Islamik po përshtaten ndaj fushatës ajrore të drejtuar nga Shtetet e Bashkara, duke i bërë objektivat në Irak dhe Siri të vështira për t’u identifikuar dhe për t’u eleminuar nga forcat e koalicionit. Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, gjenerali Martin Dempsey, foli një ditë pasi sekretari I Mbrojtjes Chuck Hagel e përshkroi detyrën për mposhtjen e grupit Shteti Islamik si të vështirë dhe të komplikuar.

Luftimet e ashpra vazhdojnë në qytetin kurd Kobani të Sirisë ku militantët publikuan video që tregon betejën rrugë më rrugë dhe shtëpi më shtëpi, duke bllokuar civilë dhe duke shtuar radhët e refugjatëve. Në Irak, trupat qeveritare vazhdojnë të luftojnë me radikalët suni pranë Bagdatit, kur një valë e re shpërthimesh me autobombë lanë dhjetra të vdekur.

Por komandantët ushtarakë amerikanë theksojnë se përparimet e Shtetit Islamik drejt Bagdatit dhe Irbilit janë ndalur, edhe pse militantët janë sofistikuar në fshehjen e pozicioneve dhe të lëvizjeve të tyre në përgjigje të sulmeve ajrore të koalicionit. Gjeneral Martin Dempsey:

“Armiku adoptohet, dhe ata do të bëhen më të vështirë të vihen në objektiv. Ata dinë si të manovrojnë dhe të përdorin popullatën për t’u fshehur. Kur gjejmë objektivin e duhur, ne godasim.”

Gjatë një vizite në Kili, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel tha se nuk do të ketë ndërprerje të fushatës ajrore të koalicionit:

“Përpjekja për të dobësuar dhe eventualisht për të shkatërruar ISIL-in është afatgjatë. Detyra është e vështirë dhe komplekse. Ajo kërkon disa faktorë: partnerë të koalicionit, një qeveri të bashkuar, të fuqishme dhe të qëndrueshme në Irak, forca të fuqishme opozitare në Siri dhe do të dojë kohë. Nuk do të jetë e shpejtë dhe nuk do të jetë e lehtë.”

Një vlerësim më pesimist erdhi nga senatori republikan John McCain, i cili tha të djelën se Shteti Islamik po fiton.

Gjenerali Dempsey tha se ende nuk sheh nevojën për trupa tokësore amerikane në Irak, por mund të parashikojë të mirat që vijnë nëse forcat amerikane shoqërojnë trupat irakiane në misione të ardhshme me intensitet të lartë, siç do të jetë rimarrja e qytetit të Mosulit tashmë të kontrolluar nga Shteti Islamik.

XS
SM
MD
LG