Lidhje

Obama: koalicioni po përparon me shpejtësi kundër ISIS-it


Presidenti amerikan Barack Obama thotë se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po përparon “me shumë shpejtësi” për ta vënë në objektiv me një precizion të thellë me synimin për ta zhdukur, Shtetin Islamik në Siri dhe në Irak.

Pas takimit me zyrtarë të lartë në Pentagon, zoti Obama tha se avionët e koalicionit janë duke e shtuar ritmin e sulmeve ajrore ndaj ISIS-it, duke e goditur grupin më rëndë se kurrë.

"Shtetet e Bashkuara dhe forcat tona të armatosura vazhdojnë ta udhëheqin koalicionin global në misionin e përbashkët për shkatërrimin e grupit terrorist ISIS. Në nëntor ne hodhëm më tepër bomba ndaj objektivave të ISIL-it, se sa kurrë më parë, që nga fillimi i fushatës,” - tha Presidenti.

Ai tha se koalicioni është duke i eliminuar një nga një udhëheqësit, komandantët dhe vrasësit e ISIS-it.

Zoti Obama po ashtu tha se Departamenti i Sigurisë Kombëtare “po e modernizon sistemin e alarmit, për ta ndihmuar popullin amerikan të qëndrojë vigjilent dhe i sigurtë.”

Presidenti Obama u takua në Pentagon me ekipin e sigurisë kombëtare, mes të cilëve Nënpresidenti Joe Biden dhe Sekretari i Mbrojtjes Ash Carter, të cilët e informuan atë për ecurinë e luftës kundër ISIS-it.

Javën e kaluar zoti Carter dëshmoi në Komisionin e Forcave të Armatosura të Senatit mbi përpjekjet amerikane për “intensifikimin e fushatës” kundër Shtetit Islamik, përfshirë dërgimin e njësive speciale dhe shtimin e sulmeve ajrore ndaj çisternave të naftës. Të ardhurat nga nafta ndihmojnë për financimin e grupit terrorist. Zoti Carter tha se në luftën kundër tij mund të shfrytëzohet më tepër ndihma nga vendet e tjera të botës.

XS
SM
MD
LG