Lidhje

ISIS komunikim me Sony PS4 për sulmet në Paris


Ndërkohë që po zgjerohen përpjekjet ndërkombëtare për kapjen e përgjegjësve të sulmeve terroriste në Paris, hetuesit po përpiqen të kuptojnë se si terroristët e ISIS-it ishin në gjendje të komunikonin dhe të koordinonin sulmet. Vëmendja është kthyer tek një objektiv i rrallë, një sistem lojrash elektronike të prodhuar nga kompania Sony.

PlayStation 4, ose PS4, është platforma më popullore e lojrave elektronike në botë, e cila lidh 110 milionë përdorues përmes rrjetit dixhital PSN të kompanisë Sony që realizohet përmes internetit. Duke përdorur PS4, përdoruesit mund të lidhen me njeri tjetrin përmes internetit (on-line) për të luajtur lojra të ndryshme. Pjesëmarrësit apo lojtarët e këtij sistemi lojrash në mbarë botën mund të komunikojnë me njëri-tjetrin përmes mesazheve me tekst ose mund të ndërveprojnë me njëri-tjetrin në kohë reale.

Udhëheqësit e grupeve terroriste si ISIS dhe al-Kaida kanë mësuar kohë më parë se disa forma të komunikimit elektronik, si e-mailat apo bisedat me telefon celular, nuk janë të sigurta pasi ato mund të përgjohen nga qeveritë. Megjithatë, PS4 mund të ofrojë një nivel të mbrojtjes së sigurisë dhe privatësisë që në të kaluarën është anashkaluar nga autoritetet.

Për shembull, disa lloje të komunikimit në rrjetin PSN janë të koduara, dhe përdoruesit mund të komunikojnë në mënyra të ndryshme. Ka një funksion të dërgimit të mesazheve që lejon lojtarët të shkëmbejnë me njëri-tjetrin mesazhe me tekst, dhe Sony nuk ka thënë publikisht nëse i ruan të dhënat dhe përmbajtjen e këtyre mesazheve.

Përdoruesit gjithashtu mund të bisedojnë me njëri-tjetrin duke përdorur programin "Voice over Internet Protocol", ose VOIP, i cili është i vështirë të përgjohet pasi kominikimi dixhital mes lojtarëve është i koduar. Por Jonathan Katz, drejtor i Qendrës Kibernetike në Universitetin e Merilendit, thotë se ky sistem ka edhe kanale të padeshifrueshme, që lojtarët e PS4 mund t’i përdorin për të komunikuar me njëri-tjetrin.

"Për shembull, dy lojtarë që luajnë një lojë së bashku mund të përdorin veprimet në lojë për t’i komunikuar informacione njeri tjetrit, si lëvizjet majtas ose djathtas për të sinjalizuar një drejtim, ose paratë në kuadër të lojës për t’i dhënë një shifër numerike njeri tjetrit”, tha për Zërin e Amerikës zoti Katz. "Është pothuaj e pamundur të parandalosh këto kanale komunikimi, dhe zbulimi i tyre është i vështirë, pasi ato mund të bazohen në çdo vend, ku veprimet e një përdoruesi ndikojnë një përdorues tjetër."

Në vitin 2013, dokumentet e publikuara nga ish-kontraktori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), Edward Snowden zbuluan se CIA dhe shërbime të tjera të zbulimit po monitoronin lojrat elektronike si World of Warcraft dhe Second Life duke krijuar personazhe të rreme, të cilët pastaj përdoreshin për të grumbulluar informacione dhe për të rekrutuar informatorë.

Nuk dihet nëse ndonjë nga agjencitë e zbulimit është duke përdorur lojtarë fiktivë në PSN. Por Jonathan Katz i Universitetit të Merilendit thotë se duke patur parasysh miliona lojra që luhen çdo ditë nga shumë përdorues vetëm në PS4, shanset për të identifikuar një diskutim të terroristëve për një sulm të ardhshëm janë shumë të vogla.

Më 10 nëntor, tri ditë para sulmeve në Paris, ministri i Punëve të Brendshme të Belgjikës, Jan Jambon tha publikisht se PS4 është një rrezik potencial për sigurinë, duke thënë se terroristët që përdorin PS4 "më mbajnë zgjuar gjatë natës". Ai gjithashtu tha se PS4 "është më i vështirë për t’u gjurmuar se sa programi WhatsApp".

Duke folur për gazetën Politico Europe, ministri Jambon paralajmëroi: "Është shumë, shumë e vështirë për shërbimet tona, jo vetëm shërbimet tona, por edhe për shërbimet ndërkombëtare, që të deshifrojnë komunikimet që po ndodhin nëpërmjet PlayStation 4".

Megjithatë, drejtori i Qendrës Kibernetike të Universitetit të Merilendit, Jonathan Katz, paralajmëron se rreziqet mund të marrin shumë forma.

"Ky është një reagim histerik. Çdo gjë mund të jetë një 'rrezik për sigurinë' nëse përdoret nga kriminelët, dhe PS4 nuk është as më pak e as më shumë i rrezikshëm për sigurinë se sa çdo metodë tjetër e komunikimit", thotë zoti Katz.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën, Sony tha se sistemi i komunikimit i PS4, "si të gjitha pajisjet e tjera moderne" mund të keqpërdoret, por në daklaratë gjithashtu thuhet se "ne u bëjmë thirrje përdoruesve dhe partnerëve tanë që të raportojnë aktivitetet që mund të jenë ofenduese, të dyshimta apo të paligjshme".

XS
SM
MD
LG