Lidhje

Perëndimi në përgjigje të propagandës së ISIS


Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje vendeve aleate t’i kundërvihen fushatës propagandistike të Shtetit Islamik, e cila sipas ekspertëve ka ndikim të madh në Lindjen e Mesme. Por disa ekspertë thonë se mundja e ektremistëve në fushën e betejës është mënyra më e mirë për të gëzuar admirimin dhe përkrahjen e popullatës në zonë. Korrespondenti Meredith Buel përgatiti materialin

Grupi Shteti Islamik ka nën kontroll zona të mëdha në Irak dhe Siri. Ky rrjet është vetë-shpallur kalifat, apo perandori islamike.

Ekstremistët kanë përdorur gjerësisht platforma mediatike si YouTube dhe Twitter për të përhapur propagandën e tyre. James Jeffrey ka qenë ambasador amerikan në Irak:

“Teknikisht është një organizatë shumë kompetente. Është e pranishme kudo dhe ka ndikim real”.

ISIS përdor video propagandistike për të reklamuar fitoret e tij dhe për të frymëzuar masat në mënyrë që të rekrutojë luftëtarë të rinj.

Zyrtarët amerikanë thonë se partnerët e tyre në koalicionin anti-ISIS duhet t’i kundërvihen me forcë kësaj ideologjie dhe të ofrojnë një botëkuptim alternativ.

Gjenerali në pension John Allen:

“Çdo partner në koalicion ka një rol unik dhe vital në luftën kundër kësaj propagande”.

Autoritetet shqetësohen se propaganda mund të frymëzojë sulme nga individë të caktuar që veprojnë në kokë të vet.

Sulmi terrorist i kohëve të fundit në Kanada mendohet se u ndërmor nga një individ i tillë, i cili u fut në ndërtesën e parlamentit dhe filloi të qëllonte.

Ministri i Jashtëm i Kanadasë John Baird tha se beteja duhet të zhvillohet aty ku ndodhet ISIS:

“Në mënyrë që të sigurojmë respektin dhe mbështetjen jo vetëm të atyre që jetojnë në Siri dhe Irak, por që t’i kundërvihemi propagandës dhe miteve që ka krijuar dhe po përpiqet të përhapë ISIS”.

Shteti Islamik boton edhe një revistë propagandistike, e cila duket se synon rekrutimin e individëve në Perëndim. Një artikull i kohëve të fundit përpiqej të justifikonte rrëmbimin e vajzave jazidi në Irak dhe shitjen e tyre në tregtinë e seksit.

“Është diçka që nuk luftohet thjesht duke theksuar vlerat tona. Ne jemi për fuqizimin e pozitës së gruas. Ata s’duan t’ia dinë; nuk duan të fuqizojnë gruan”.

Kohët e fundit luftëtarë të forcave Peshmerga të përbëra nga kurdë të Irakut janë dyndur drejt qytetit Kobani në Siri për të penguar avancimin e luftëtarëve të ISIS. Deri tani fushata ajrore e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara e ka ngadalësuar, por nuk e ka ndalur përparimin e xhihadistëve.

Analistët thonë se për koalicionin anti-ISIS ka rëndësi kritike fitorja në fushën e betejës për t’iu kundërvënë mesazhit radikal të xhihadistëve.

“Një ndër arsyet që janë bërë kaq tërheqës është fakti se kanë qenë të suksesshëm në luftime. Prandaj kundërpërgjigja jonë ushtarake është elementi më i rëndësishëm i luftës”.

Departamenti i Shtetit po përdor median sociale si Twitter, Facebook dhe YouTube për t’iu kundërvënë propagandës së tyre. Një ndër format ka qenë një video e realizuar me qëllimin për të penguar përpjekjet e rekrutimit të xhihadistëve të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG