Lidhje

Sulmet ajrore kundër IS kanë patur efekt


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry thotë se sulmet ajrore të koalicionit kundër grupit të Shtetit Islamik e kanë bërë më të vështirë për militantët që të organizohen, udhëtojnë apo ndërmarrin sulme. Zoti Kerry foli sot në Bruksel, duke hapur një takim me ministrat e jashtëm nga 60 vende partnere në koalicion. Në takim do të bisedohet rreth përpjekjeve për të luftuar grupin militant që ka marrë nën kontroll zona të mëdha në veri dhe perëndim të Irakut dhe në lindje në Siri.

“Është më e vështirë tani për Shtetin Islamik që të organizohet, të mbledhë forca apo të udhëtojë me autokolona dhe të ndërmarrë sulme të kordinuara, - tha zoti Kerry. Asnjë grup militant nuk mund të përpiqet të organizojë ndonjë sulm pa u shqetësuar se çfarë do t’i vijë nga qielli. Gjatë javëve në vazhdim, misioni i koalicionit për trajnimin dhe këshillimin e forcave irakiane të sigurisë do të zgjerohet. Sulmet ajrore do të vazhdojnë sipas nevojës.”

Zoti Kerry tha se militantët duhet të shqetësohen se çfarë do të bjerë mbi ta nga qielli. Forcat e koalicionit kanë ndërmarrë më shumë se 1 mijë sulme ajrore në Irak dhe Siri që nga fillimi i fushatës në muajin gusht.

Zëdhënësi i Pentagonit, admirali John Kirby tha dje se Shtetet e Bashkuara kishin shenja se edhe Irani kishte ndërmarrë sulme ajrore në Irak. Ai tha se Uashingtoni beson se këto janë sulmet e para ajrore iraniane kundër militantëtve. Disa forca tokësore iraniane janë ndërkohë të përfshira në luftimet në Irak. Zoti Kirby tha se Shtetet e Bashkuara nuk po kordinojnë veprime me Iranin dhe se i takon Irakut që të sigurohet se në hapësirën ajrore të vendit nuk ka konflikte.

XS
SM
MD
LG