Lidhje

ISIS përgjegjës për sulmet në Bangladesh


Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për një seri shpërthimesh sot në Bangladesh. Një djalë adoleshent u vra gjatë një ceremonie fetare me pjesëmarrjen e mijëra myslimanëve shiitë në kryeqytetin e vendit.

Dhjetra persona u plagosën gjatë sulmit në Daka, ku besimtarët ishin mbledhur për të shënuar festivalin e Ashures, një festë e shenjtë për shiitët.

Grupi që monitoron terrorizmin SITE, me seli në Shtetet e Bashkuara, tha se Shteti Islamik bëri një deklaratë, ku thuhej se
“ushtarët” e grupit në Bangladesh aktivizuan lëndët shpërthyese gjatë asaj që militantët e dënuan si “ritual politeist”.

Policia tha se kishte arrestuar dy të dyshuar dhe se kishte detonuar dy bomba të pashpërthyera.

Besimtarët myslimanë të sektit shiit ishin mbledhur në xhaminë e tyre për të shënuar përfundimin e 10 ditëve të Ashures, një ditë kur ata kujtojnë vdekjen e Imam Husseinit, nipit të Profetit Muhamed.

XS
SM
MD
LG