Lidhje

Përleshje mes izraelitëve dhe palestinezëve


Përleshjet pasuan shkatërrimin e shtëpive të familjarëve të një palestinezi që vrau 6 izraelitë gjatë një sulmi në sinagogë vitin e kaluar

Forcat izraelite rrënuan të martën shtëpitë e dy palestinezëve që kryen sulme vdekjeprurëse në Jerusalem vitin e kaluar, para se të vriteshin nga policia.

Shkatërrimi përfshiu shtëpitë e familjarëve të personit që vrau pesë besimtarë dhe një oficer policie gjatë një sulmi në sinagogë dhe të një personi që vrau një njeri me buldozer. Forcat izraelite mbyllën edhe pjesët e shtëpisë së një palestinezi që kishte qëlluan mbi një veprimtar hebre.

Kryeministri Benjamin Netanyahu u zotua të hënën se do të përshpejtojë shkatërrimin e shtëpive të terroristëve dhe do të burgosë pa gjyq të dyshuarit.

Para se të mbante një takim emergjent të Këshillit të Sigurisë, ai tha se nuk ka kufizime për forcat izraelite në përgjigjen e tyre ndaj dhunës në rritje të palestinezëve.

“Ne jemi duke lejuar forcat tona të ndërmarrin veprime të forta ndaj atyre që hedhin gurë apo shishe me benzinë. Nuk jemi të gatshëm t’i japim askujt imunitet, asnjë nxitësi trazirash... apo ndonjë terroristi kudo qoftë”, tha ai.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, u takua të hënën me ekipin e tij të sigurisë, duke kërkuar prej tyre parandalimin e shkallëzimit të dhunës.

Dhuna ndërmjet forcave izraelite dhe palestinezëve është rritur gjatë javës së kaluar, pikë së pari rreth zonës së shenjtë në Jerusalemin lindor, që përfshinë xhaminë al-Aksa, objekt i shenjtë për myslimanët, dhe Murin Perëndimor, vendi më i shenjtë i judaizmit.

Incidenti i fundit ndodhi të hënën në Bregun Perëndimorë, ku forcat izraelite qëlluan dhe vranë dy adoleshentë palestinezë që po hidhnin gurë. Policia izraelite arrestoi po ashtu pesë palestinezë nën akuzat për vrasje e një çifti izraelit javën e kaluar.

XS
SM
MD
LG