Lidhje

Izraeli ndryshon mënyrën e ndarjes së informacioneve me SHBA-në


Izraeli njoftoi se ka ndryshuar protokollet e shkëmbimit të informacionit të zbulimit me Shtetet e Bashkuara. Vendimi vjen pasi presidenti Donald Trump u bëri publike diplomatëve rusë informacione sekrete që vinin nga Izraeli, gjatë një takimi me ta këtë muaj në Uashington. Izraeli nuk kishte dhënë leje që informacioni t’i jepej ndonjë vendi tjetër.

Shefi i mbrojtjes së Izraelit, Avigdor Liberman tha të mërkurën për një radiostacion të ushtrisë se "Mund të konfoirmoj që kemi bërë një rregullim të vogël dhe se ekziston bashkëpunim i pashembullt me shërbimet amerikane të zbulimit ".

Ai shtoi se "bëmë sqarimet përkatëse me miqtë tanë Amerikanë”. Zoti Liberman nuk pranoi të bëjë publike ndryshimet që ishin bërë.

"Jo gjithçka duhet të diskutohet në media, disa gjëra duhet të diskutohen me dyer të mbyllura", tha ai.

Presidenti Trump i bëri publike informacionet dy javë më pare gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe ambasadorin e Moskës në Uashington, Sergej Kislyak.

Sipas medias amerikane, presidenti, u krenua me faktin se ai kishte “informacion shumë të rëndësishëm”, duke nxjerrë kështu informacione sekrete rreth një kërcënimi të Shtetit Islamik. Bëhej fjalë për bomba të vendosura në kompjutera që lejohen në aeroplanë.

Pas njoftimeve në shtypin amerikan se presidenti Trump ndau të dhënat me zyrtarët rusë, ai shkroi në llogarinë e tij në Twitter se "si president kam dashur të ndaj me Rusinë fakte (në një takim të njoftuar publikisht në Shtëpinë e Bardhë), gjë që kam të drejtë absolute ta bëj, faktet që lidhen me terrorizmin dhe sigurinë ajrore. Për arsye humanitare sigurisht si dhe dua që Rusia t’i intensifikojë ndjeshëm përpjekjet në luftën kundër ISIS-it dhe terrorizmit ".

Çështja u kthye sërisht në vëmendje gjatë vizitës së tij në Izrael, në një nga daljet publike në krah të kryeministrit Benjamin Netanjahu.

Kur kryeministri Netanjahu u pyet për besimin që ka Iraeli tek Shtetet e Bashkuara në ndarjen e informacioneve të zbulimit, presidenti Trump ndërhyri dhe tha: "që ta kuptoni, kurrë nuk e përmenda fjalën ose emrin “Izrael” gjatë takimit. Ata thonë se po, të gjithë….por ky është një tjetër gabim", tha ai.

Pas komentit të presidentit Trump zoti Netanyahu tha: "Bashkëpunimi në fushën e zbulimit është i jashtëzakonshëm, Nuk ka qenë kurrë më mirë".

Shtypi kishte njoftuar vetëm se informacioni që kishte nxjerrë presidenti Trump ishte i mjaftueshëm për agjentët rusë të zbulimit që të kuptonin se burimi ishte Izraeli. Brenda disa ditësh, zyrtarët e Uashingtonit pranuan se burimi ishte me të vërtetë Izraeli.

Javën e kaluar, revista “Politika e Jashtme” “Foreign Policy” shkroi se zyrtarët izraelitë i kishin "bërtitur homologëve të tyre amerikanë" lidhur me rrjedhjen e informacionit.

Sipas televizionit ABC News, informacioni kishte ardhur nga një agjent izraelit i infiltruar tek luftëtarët e Shtetit Islamik dhe se bërja publike e tij nga zoti Trump kishte rrezikuar jetën e agjentit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG