Lidhje

Turqia: Jemi pranë identifikimit të personit të dyshuar


Autoritetet turke thonë se janë afër identifikimit të personit të armatosur i cili po kërkohet në lidhje me sulmin e Vitit të Ri në një klub nate të Stambollit, që la 39 të vdekur, shumë prej tyre të huaj. Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Zëvendëskryeministri turk Numan Kurtulmus u tha gazetarëve të hënën se autoritetet kanë marrë shenjat e gishtave dhe një përshkrim të personit të armatosur.

Një imazh jo shumë i qartë i personit të dyshuar i nxjerrë nga kamerat e sigurisë u është dhënë të gjitha mediave turke. Kurtulmus gjithashtu konfirmoi se tetë vetë janë marrë në pyetje në lidhje me sulmin vdekjeprurës.

Grupi militant, Shteti Islamik, mori përgjegjësinë për sulmin. Në një deklaratë grupi tha se sulmin e ka kryer "një ushtar i kalifatit".

Sulmi filloi në orët e hershme të së dielës kur një person i armatosur vrau një oficer policie dhe një civil jashtë klubit Reina para se të hynte brenda. Mbi 600 veta ishin në klub në atë kohë dhe disa prej tyre u hodhën në ujërat e Bosforit për t'u shpëtuar plumbave.

Klubi Reina në lagjen Ortakoy, një zonë në ngushticën e Bosforit është i njohur për praninë e personave të famshëm dhe të huajve.

Autoritetet që janë vënë në kërkim të sulmuesit, thanë se ai mund të jetë përzier me njerëzit që iknin nga klubi. Përveç 39 të vrarëve, rreth 70 veta mbetën të plagosur.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha të dielën se personi i armatosur që sulmoi klubin e natës në Stamboll, synonte kaosin në vend, po ai dështoi.

"Ata po provojnë të shkaktojnë kaos, të dëshpërojnë njerëzit tanë dhe te destabilizojnë vendin tonë me sulme të neveritshme mbi civilët", tha ai. "Në do të qëndrojmë më kokë të ftohtë si komb, duke qëndruar më të bashkuar dhe nuk do të krijojmë hapësirë për lojëra të tilla të pista", nënvizoi ai.

Në një deklaratë të Departamentit të Shtetit, zëvendësi i zëdhënësit, Mark Toner tha se "sulmet e tilla vetëm sa forcojnë vendosmërinë tonë për të punuar me qeverinë turke për të luftuar të keqen e terrorizimit".

Rreth 25 nga 39 të vrarët janë të huaj, përfshirë të tillë nga Jordania, Libani, Izraeli, Arabia Saudite, Iraku dhe Kanadaja.

Dy shpërthime në afërsi të një stadiumi të futbollit në Stamboll më herët gjatë dhjetorit, lanë pas vetes 28 të vrarë dhe mbi 150 të plagosur.

Në qershor, një sulm që u mor përsipër nga grupi militant Shteti Islamik, la 40 të vrarë në aeroportin Ataturk në Stamboll.

KRITIKA QEVERISË TURKE PËR SULMIN

Kryeministri i Turqisë u zotua të hënën se do të ndëshkonte përdoruesit e mediave sociale që lëvdojnë terrorizmin e militantëve islamikë; por kritikët laikë të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan thonë se ai dhe qeveria e tij mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për sulmin terrorist të Vitit të Ri, që la 39 të vdekur në një klub nate të Stambollit.

Kritikët e Erdoganit kanë përmendur kritikat me bazë fetare ndaj festimeve të Vitit të Ri. Kritikat u bënë javën e kaluar nga disa media pro-qeveritare dhe nga kryekleriku mysliman i Turqisë, Mehmet Gormez, që është kreu i Drejtorisë së Çështjeve Fetare, një institucion shtetëror i vendit.

Më 30 dhjetor, Gormez nxori një predikim për të 85 mijë xhamitë e vendit, duke i quajtur festimet e Vitit të Ri "të paligjshme" dhe duke argumentuar se ato i përkisnin "kulturave të tjera."

Pas sulmit në klubin e natës “Reina”, Gormez e dënoi masakrën, duke thënë se asnjë sulm terrorist nuk është i pranueshëm.

Megjithatë, kjo nuk e ka qetësuar një grup përfaqësuesish të shoqërisë civile turke, që ngriti padi penale të hënën kundër klerikut, duke thënë se predikimi i tij bëri që të viheshin në shënjestër ata që festonin Vitin e Ri në klubin e natës.

XS
SM
MD
LG