Lidhje

Italia në prag të referendumit


Në Itali, partia kryesore e opozitës, Lëvizja e Pesë Yjeve, po u bën thirrje mbështetësve të votojnë “jo” në referendumin e 4 dhjetorit, duke thënë se reformat e kryeministrit Matteo Renzi do të sjellin kaos në vend. Referendumi ka të bëjë me planet e zotit Renzi për zëvendësimin e dhomës së sipërme të parlamentit, Senatit, me një dhomë të përfaqësuesve rajonalë, që do të kishin shumë më pak kompetenca. Kryeministri ka premtuar se do të japë dorëheqjen nëse humbet në referendum.

Kryeministri Matteo Renzi thotë se ndryshimet do t’i jepnin fund bllokimeve të parlamentit dhe do ta nxirrnin ekonominë nga stanjacioni i gjatë. Por sipas kundërshtarëve, ato do të dobësonin demokracinë dhe do të përqendronin shumë pushtet në duart e kryeministrit.

Lëvizja e Pesë Yjeve u shfaq vrullshëm në skenën politike të vendit në vitin 2013, kur fitoi më shumë se 25 për qind të votave, duke dalë menjëherë pas Partisë Demokratike të zotit Renzi.

Komediani Beppe Grillo, është bashkëthemelues i lëvizjes, e cila ka në bazë luftën kundër korrupsionit që ka njollosur politikën italiane prej dekadash.

Zoti Grillo ishte i pranishëm në ditën e fundit të fushatës, më 26 nëntor, në krye të një marshimi në rrugët e Romës, në mbështetje të votimit “jo”.

Pranë tij ishte deputeti 30-vjeçar Luigi Di Maio, i cili pritet gjerësisht të jetë kandidati për kryeministër i Lëvizjes së Pesë Yjeve në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2018.

"Italisë po i kërkohet të votojë në referendumin mbi reformën kushtetuese më 4 dhjetor. Ne jemi shumë të shqetësuar se në qoftë se fiton vota 'po', niveli i korrupsionit do të rritet. Sepse do të kemi një Senat, që nuk do të mund të zgjidhej nga populli italian,” tha zoti Di Maio, i cili para marshimit bëri një turne në Evropë, për t’u bërë thirrje italianëve jashtë vendit të mos votojnë në favor të Kryeministrit Renzi.

Sondazhet parashikojnë humbjen e zotit Renzi. Nëse ndodh, kjo do të ishte revolta e tretë e votuesve në një vend të madh perëndimor, pas votimit të papritur të Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian dhe zgjedhjes së zotit Donald Trump në Shtetet e Bashkuara.

Tregjet po përballen me pasiguri në prag të referendumit. Investitorët shqetësohen se një votim kundër Kryeministrit Renzi mund të bëhet shkak për krizë në sektorin bankar të vendit.

XS
SM
MD
LG