Lidhje

Zgjedhjet parlamentare në Itali


Në krye të kandidatëve është ish komunisti Pier Luigi Bersani, i pasuar nga ish kryeministri Berlusconi

Italianët shkojnë sot në qendrat e votimit për të zgjedhur parlamentin e ri, ndërsa vendi përpiqet të dalë nga recesioni. Të gjitha vendet e eurozonëse po ndjekin nga afër zgjedhjet, që zhvillohen sot dhe nesër, në ekonominë e tretë më të madhe të këtij blloku. Anketat e fundit të opinionit tregojnë se Partia Demokratike dhe udhëheqësi i saj Pier Luigi Bersani gëzojnë një epërsi të vogël, megjithatë mund të mos sigurojnë shumicën e nevojshme në parlament për të zbatuar reformat e domosdoshme ekonomike.

Silvio Berlusconi, i cili po përpiqet të rikthehet në jetën politike të Italisë, pasi u detyrua të largohej si pasojë e krizës së borxheve të vendit, hodhi sot votën për në në zgjedhjet parlamentare.

Këto zgjedhje tepër të rëndësishme mund të ndryshojnë të ardhmen e një prej ekonomive më të mëdha të Evropës.

Ato po ndiqen nga afër prej vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa vendimet që Italia do të marrë gjatë muajve në vazhdim duket se do të kenë një ndikim të madh tek perspektivat e Evropës për të kapërcyer krizën financiare.

Në krye të kandidatëve është ish komunisti Pier Luigi Bersani, i cili është treguar pragmatik në mbështetje të reformave të ashpra ekonomike, të filluara nga kryeministri aktual, Mario Monti. Zoti Monti e shpëtoi Italinë nga katastrofa financiare, megjithatë mbështetja për të ka rënë ndjeshëm për shkak të masave të ashpra ekonomike, që ai vuri në zbatim.

Edhe komediani i kthyer në politikan, Beppe Grillo, ka tërhequr mijëra njerëz në manifestimet e zhvilluara në mbarë Italinë me lëvizjen e tij kundër klasës politike tradicionale. Por jo shumë mbrapa ish komunistit Bersani është ish kryeministri Berlusconi.

Kur ai dha dorëheqjen në nëntor të vitit 2011, gazetat shkruan me bindje fundin e karierës së tij politike, por 76 vjeçari Berlusconi, për më shumëm se 20 vjet, ka provuar herë pas here se ai nuk duhet shpërfillur.

Strategjia e fushatës, që i ka bërë atij të mundur të konkurojë në këto zgjedhje është e thjeshtë: kënaqi masat duke derdhur kesh.

Zoti Berlusconi ka premtuar të eliminojë një taksë jopopullore mbi pasurinë, të vendosur nga kryeministri Monti, pjesë e masave të ashpra ekonomike.

Anketat më të fundit të opinionit tregojnë se zoti Bersani gëzon mbështetje më të madhe me 33 për qind, i pasur nga koalicioni i zotit Berlusconi dhe Lëvizja Veriore populiste me 28 për qind.
XS
SM
MD
LG