Lidhje

Trafiku i narkotikëve gjithnjë e në rritje me Italinë


Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Antidrogës italiane, policia italiane bllokoi gjatë muajit qershor rreth 6 tonë lëndë narkotike kanabis.

Në këtë sasi narkotikësh policia italiane kategorizon hashishin (një lloj droge që trafikohet kryesisht nga Maroku në formë çokollate), marijuanën (që trafikohet kryesisht nga Shqipëria) si dhe bimët e marijuanës që kultivohen krysisht në disa zona në Jug të Italisë.

Sipas të dhënave zyrtare të antidrogës, të sapopublikuara për muajin qershor, nga 6 tonë kanabis të sekuestruara gjithësejt rreth 5,2 tonë ishin marijuanë, rreth 700 kilogramë hashish dhe rreth 37 mijë ishin bimë narkotike të asgjësuara në brendësi të territorit italian. Policia italiane tha se vetëm gjatë qershorit të këtij viti arrestoi 1.604 persona në 1705 operacione nga të cilët 798 të huaj, pjesa më e madhe e të cilëve nga Shqipëria.

Të dhënat e këtij viti flasin për një rritje të ndjeshme të trafikut të kanabisit krahasur me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kështu në qershor të vitit 2016 ishte bllokuar vetëm 1,3 tonë Kanabis nga e cila vetëm 382 kilogramë ishte marijuanë. Policia kishte arrestuar 1.370 persona në qershor të vitit 2016 në 1.351 operacione të zhvilluara.

Ndërkohë të dhënat më të fundit nga antidroga italiane flasin dhe për një rritje të ndjeshme të trafikut të heroinës krahasur me një vit më parë.Sipas të dhënave zyrtare në qershor të vitit 2017 u bllokuan 44kg heroine nga 19 kg heroinë që ishin bllokuar qershorin e vitit 2016.

Rritet bashkëpunimi shqiptaro- italian kundër narkotikëve

Policia shqiptare dhe italiane kanë rritur së fundi bashkëpunimin e ndërsjelltë për të frenuar trafiqet në hapësirën detare dhe kultivimin e marijuanës. Një skuadër e "Guardia Di Financa" Italiane ka kryer kohët e fundit mbi 16 fluturime duke identifikuar 62 parcela me disa mijëra bimë narkotike në rajone të ndryshme të Shqipërisë.

Policia shqiptare tha se vetëm për periudhën nga Janari deri në Korrik sekuestroi rreth 60 tonë marijuanë dhe asgjësoi mbi 50 mijë bimë marijuane të mbjella në disa qarqe të vendit. Autoritetet kanë rritur ndëshkimet edhe për zyrtarët e administratës në zonat e të cilëve gjenden vatra të kultivuara me narkotikë.

Policia tha se ka proceduar penalisht 88 autorë (administratorë të njësive administrative, kryepleq dhe inspektor të shërbimit pyjor), për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”, nga të cilët 13 janë arrestuar dhe 72 janë ndjekur në gjendje të lire, ndërsa 3 janë në kërkim policor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG