Lidhje

Itali, shuhen shpresat për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë


Sot Italia po mban zi kombëtare, ndërsa janë duke u zbehur shpresat për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë nën rrënoja, pas tërmetit vdekjeprurës të së mërkurës, që rrafshoi qytezën e Amatriçes.

Presidenti italian Sergio Mattarella, së bashku me kryetarin e bashkisë Sergio Pirozzi, vizitoi sot qytetin dhe falënderoi punonjësit e shpëtimit. Sot mbahen edhe funeralet për disa prej viktimave.

Zyrtarët thonë se është shumë e rrezikshme të shkosh në qytezën mesdhetare të rrafshuar nga tërmeti. Amatriçe, një qytet i vogël piktoresk, i njohur sidomos ngaqë tradicionalisht furnizonte me kuzhinierë Vatikanin, tani mbetet të presë për zbulimin e trupave të rreth 15 njerëzve që figurojnë të zhdukur: mes tyre fëmijë dhe një bukëpjekës, të cilët figuojnë të humbur për familjarët.

Të premten, një pasgoditje e fuqishme prej 4,8 ballësh i detyroi ekipet e shpëtimit, me përbërje nga gjithë Italia, ta pezullojnë punën për disa kohë.

Në Amatriçe dhe në mbarë Italinë qendrore janë ndjerë këto ditë mbi 1 mijë pasgoditje. Kjo ishte arsyeja që ekipet e shpëtimit vendosën dje ta bllokojnë plotësisht qytetin ndaj mediave dhe vullnetarëve. Rrugët e ngushta kodrinore që çojnë në qytet janë dëmtuar shumë. Zyrtarët thonë se në Amatriçe janë gjetur mbi 200 trupa nën rrënojat e shtëpive, disa prej të cilave i përkisnin shekullit të 14-të.

Numri i viktimave të tërmetit në katër qytezta e goditura më rëndë: Amatrice, Arquata, Accumoli dhe Pescara del Tronto, po kap shifrën e 300 vetëve dhe numri i të plagosurve është disa qindra. Këto qytete të vjetra kanë popullsi jo të dendur, rreth 2 mijë 500 banorë, por ato mbushen me turistë dhe familjarë vizitues gjatë verës. Kjo është dhe arsyeja që autoritetet e kanë të vështirë të përcaktojnë shifrën e qartë të personave të zhdukur. Mes tyre ka edhe të huaj.

Kryetari i Bashkisë i Amatriçes thotë se qyteti që mundi t’i mbijetojë një tërmeti tjetër të fortë në vitin 1639, duhet rindërtuar në shenjë respekti ndaj njerëzve që humbën jetën në tërmetin e së mërkurës.

Kryeministri italian Matteo Renzi, që deklaroi të enjten gjendjen e jashtëzakonshme në zonat më të goditura, premtoi se qytezat e rrënuara do të rondrëtohen dhe u zotua për një fond prej 55 milionë dollarësh për përpkjekjet e shpëtimit dhe të rindërtimit. Por duket që do të nevojiten shumë më tepër fonde, sipas ekspertëve, të cilët thonë se ende rreth 8 mijë njerëz jetojnë në banesa të përkohëshme që nga tërmeti i L’Aquilas i vitit 2009.

XS
SM
MD
LG