Lidhje

Gazë, hyn në fuqi armëpushimi 72 orësh


Një marrëveshje armëpushimi 72 orëshe mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi sot herët në mëngjes në Rripin e Gazës, ndërkohë që intensifikohen përpjekjet për negocimin e një fundi afat-gjatë të konfliktit.

Disa orë para fillimit të armëpushimit, Izraeli njoftoi se do të tërhiqte trupat e mbetura nga enklava bregdetare dhe do t'i ridislokonte ato në pozicione mbrojtëse jashtë Gazës.

Ushtria izraelite thotë se ka shkatërruar 32 tunele të përdorura nga Hamasi për të ndërmarrë sulme përgjatë kufirit.

Pavarësisht këtyre vendimeve, banorët e komuniteteve jugore në Izrael, pranë kufirit me Gazën, janë skeptikë mbi armëpushimin. Ja si shprehet një izraelit:

“Ka kaluar një orë nga hyrja në fuqi e armëpushimit dhe deri tani nuk ka probleme. Por nuk mendoj se do dalë gjë nga kjo marrëveshje. Mendoj se do të vazhdojnë të na sulmojnë, por shpresoj ta kem gabim. Shpresoj që ata të mbajnë premtimin.”

Kjo është përpjekja e fundit për t’i dhënë fund katër javëve të dhunës që ka lënë më shumë se 1,800 të vdekur palestinezë, shumica civilë, si dhe 64 ushtarë izraelitë dhe tre civilë. Një pronar dyqani në Gaza tha:

“Gjatë armëpushimit menduam të shkonim të shihnim ata me të cilët na ka bekuar zoti, fëmijët tanë. Gjithçka është shkatërruar. Zoti, myslimanët dhe jo-myslimanët nuk e lejojnë këtë shkatërrim. Fëmijët dhe gratë tona kanë vdekur.”

Disa përpjekje për armëpushim kanë dështuar, përfshi atë të së premtes së kaluar, kur pritej një marrëveshje tre ditore, e cila dështoi brenda dy orësh. Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje palëve që të respektojnë përpjekjet e fundit për armëpushim.

Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon po ashtu përgëzoi armëpushimin duke thënë se bisedimet duhet të fillojnë sa më shpejtë të jetë e mundur dhe të trajtojnë çështjet e brendëshme.

Tërheqja e trupave izraelite ishte një kërkesë kryesore e Hamasit, delegatët e së cilës organizatë pritet të arrijnë në Kairo gjatë ditëve në vazhdim në përpjekje për të negociuar zgjatjen e armëpushimit me zyrtarët egjiptianë dhe izraelitë.

XS
SM
MD
LG