Një palestinez goditi sot me thikë tre policë izraelitë në hyrje të pjesës së vjetër të Jeruzalemit lindor, përpara se të vritej nga forcat policore.
Njëri nga oficerët e policisë është i plagosur rëndë, ndërsa dy të tjerët kanë marrë plagë të lehta.
Ngjarja ndodhi shumë pranë vendit ku një tjetër adoleshent palestinez goditi me thikë dy izraelitë më herët në mëngjesin e sotshëm dhe në vijim u vra nga policia.
Një valë sulmesh me thika ndaj civilëve dhe ushtarakëve ka tronditur Izraelin gjatë ditëve të fundit.
Sulmet filluan në Jeruzalemin lindor, në pjesën e shenjtë të njohur prej hebrejve si Mali i Tempullit dhe prej myslimanëve si Xhamia al-Aqsa.
Një javë e tërë dhune ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve u shtri dje edhe në Rripin e Gazës, me të paktën 7 viktima palestineze dhe mbi 100 të tjerë të plagosur.