Lidhje

Egjipti, propozim për armëpushim mes Hamasit dhe Izraelit


Egjipti ka ofruar një plan për armëpushim që synon dhënien fund të luftimeve të ashpra një javore mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës në të cilat janë vrarë shumë njerëz.

Propozimi egjiptian, i paraqitur dje, bën thirrje për hyrjen në fuqi të një armëpushimi të përkohshëm të martën. Në bazë të propozimit, armëpushimi do të pasohej nga hapja e kalimeve kufitare në Rripin e Gazës dhe fillimin e bisedimeve midis të dy palëve në Kajro, brenda dy ditësh.

Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se grupi është i hapur ndaj këtij propozimi. Në Izrael, një zyrtar tha se kryeministri Benjamin Netanjahu do të mbledhë kabinetin e tij të sigurisë sot herët për të shqyrtuar propozimin egjiptian për armëpushim.

Izraeli filloi ofensivën në Rripin e Gazës të martën e kaluar, duke thënë se ajo ishte në përgjigje të hedhjes së raketave në Izrael nga militantët e Hamasit në Gaza. Zyrtarët palestinezë thonë se gjatë operacioneve izraelite janë vrarë 185 vetë, duke përfshirë dhjetëra civilë. Izraelitët nuk kanë pësuar asnjë viktimë, falë një sistem të ri të mbrojtjes nga raketat që ka diktuar dhe neutralizuar shumicën e raketave të hedhura nga Hamasi.

Rritja e numrit të viktimave ka shtuar trysninë ndërkombëtare mbi të dyja palët për të ndalur luftimet.

XS
SM
MD
LG