Lidhje

Izraeli, zgjedhje të përgjithshme të parakohshme në prill


Izraeli do të mbajë zgjedhje të përgjithshme të parakohshme në prill dhe Knesseti do të shpërndahet, tha të hënën partia e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Koalicioni i zotit Netanjahu është goditur nga ndarjet e brendshme për muaj me radhë, duke përfshirë edhe dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes Avigdor Lieberman, në shenjë proteste ndaj asaj që ai e shihte si reagim i dobët i qeverisë ndaj sulmeve me raketa nga Gaza e qeverisur prej Hamasit.

Partia Likud e kryeministrit gjithashtu përballet me kritika nga hebrenjtë ultra ortodoksë mbi një projekt-ligj të ri, i cili parashikon përfshirjen e tyre në rekrutimin ushtarak. Hebrenjtë ultra ortodoksë nuk janë rekrutuar në ushtri prej vitesh, me shqetësimin se rekrutimi mund të çonte në laicizimin e të rinjve.

Zgjedhjet e përgjithshme fillimisht ishin planifikuar për në nëntor 2019.

Pavarësisht nga mosmarrëveshjet, zoti Netanyahu duket i vendosur për të fituar një mandat tjetër si kryeministër i Izraelit, çka do ta bënte udhëheqësin më jetëgjatë në këtë post. Megjithatë, ai përballet me akuza të mundshme penale për korrupsion dhe policia ka rekomanduar që ai të paditet për rryshfete. Ministria e Drejtësisë njoftoi të mërkurën se diskutimet e brendshme vazhdojnë, ndërkohë që vendi pret me padurim një vendim nga prokurori i përgjithshëm.

Zoti Netanjahu i ka hedhur poshtë me zemërim akuzat kundër tij, njësoj si aleati i tij, Presidenti i SHBA, Donald Trump, duke i quajtur ato një "gjueti shtrigash".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG