Lidhje

Izraeli përcjell me shqetësim kryengritjen në Egjipt dhe protestat në vendet e tjera arabe


Izraeli përcjell me shqetësim kryengritjen në Egjipt dhe protestat në vendet e tjera arabe
Izraeli përcjell me shqetësim kryengritjen në Egjipt dhe protestat në vendet e tjera arabe

Qeveria izraelite po përcjell trazirat e dhunshme në Egjipt dhe protestat në vendet e tjera arabe me shqetësimin kryesor se në Kajro mund të vijë në fuqi një regjim agresiv radikalësh islamikë dhe se trazirat politike mund të përhapen. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Meredith Buel, sjell hollësi në këtë kronikë nga Jeruzalemi.

Protestat dhe përleshjet në rrugët e Kajros po ndryshojnë peisazhin strategjik dhe politik në Lindjen e Mesme, ndërsa Izraeli e gjen veten të rrethuar nga vende e qeveri arabe me të ardhme të paqartë.

Vendimi i Presidentit egjiptian Hosni Mubarak që të mos rikandidojë pas tri dekadash në pushtet mund të ketë ndikim në marrëdhëniet e përkufizuara nga traktati i paqes mes Egjiptit e Izraelit më 1979.

Presidenti izraelit Shimon Peres:

“Kemi pasur gjithmonë, dhe vazhdojmë të kemi, shumë respekt për Presidentin Mubarak. Nuk themi që gjithçka që bëri ishte e drejtë, por bëri një gjë, për të cilën të gjithë i jemi mirënjohës. Ruajti paqen në Lindjen e Mesme.”

Në Izrael, i cili i var shpresat te traktati i paqes me Egjiptin për stabilitet rajonal, qeveria e Kryeministrit Beniamin Netanjahu përballet tani me një të panjohur të re në rajonin tejet të rrezikuar ku ndodhet vendi.

Mbreti Abdullah i Jordanisë shkarkoi kabinetin, duke iu nënshtruar trysnisë publike për reforma pas demonstratave të frymëzuara nga ato në Egjipt.

Në Bregun Perëndimor, Presidenti palestinez Mahmud Abas u dha urdhër ministrave dhe zyrtarëve të tjerë që të mos flasin publikisht rreth gjendjes në Egjipt.

Mark Hellër, analist pranë Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv, e përshkruan kështu problemin.

“Ka shqetësim se një regjim agresiv radikalësh islamistë mund të marrë pushtetin në Egjipt dhe, ndër tjera, ta drejtojë armiqësinë dhe agresivitetin ndaj Izraelit.”

Cvika Fogel është gjeneral izraelit në pension dhe tani punon si analist ushtarak.

Ai thotë se pritshmëria që Presidenti Mubarak të largohet nga udhëheqja politike e Egjiptit po bën që ushtria izraelite ta peshojë më mirë marrëdhënien më të rëndësishme strategjike që ka në rajon.

“Ushtria nuk pret medoemos se do të prishet marrëveshja e paqes me Egjiptin, por po i kushton vëmendje ndikimi të grupeve islamiste në kufijtë e Izraelit. Për shkak të këtij përqendrimi të organizatave terroriste neve nuk duhet të na zërë gjumi.”

Binjamin Ben Eliezer, ish-ministër i mbrojtjes i Izraelit, kritikon Shtetet e Bashkuara se po nxisin një tranzicion të shpejtuar në qeverinë egjiptiane.

“Mendoj se amerikanët nuk po e kuptojnë tragjedinë në të cilën kanë marrë pjesë. Kjo e rrezikon ecurinë e paqes në Lindjen e Mesme.”

Zhvillimet në pesë vjetët e fundit, duke përfshirë marrjen nën kontroll të Rripit të Gazës nga grupi islamist palestinez Hamas, ardhja në pushtet e Hezbollahut në Liban dhe ndikimi i Iranit në rajon ka bërë që shumë izraelitë të ndihen sikur rajoni është kthyer edhe më shumë kundër tyre.

Analistët thonë se nëse konservatorët islamistë marrin pushtetin në Egjipt, Izraeli do të ndihet i rrethuar për dekada me radhë si asnjëherë tjetër.

Mark Hellër i Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare:

“Në rastin më të skajshëm, atje do të mbizotëronin forcat radikale – një forcë radikale suni të kontrollonte Egjiptin, një forcë radikale shiite të kontrollonte Iranin dhe një garë e vazhdueshme mes tyre për të treguar se cila është më agresive në përballjen me Izraelin dhe me Shtetet e Bashkuara.”

Zoti Hellër thotë se Izraeli duhet të bëjë përpjekje që të mos përzihet shumë gjatë trazirave në botën arabe pasi çdo gjë që thotë ose bën vendi do të kritikohej dhe do të ishte kundërproduktive.

XS
SM
MD
LG