Lidhje

Japonia, Okinava dhe Lufta II Botërore


Kjo javë shënon 70 vjetorin e ditës (15 gusht), kur Japonia iu dorëzua forcave aleate të udhëhequra nga SHBA duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore, konfliktit ushtarak më vdekjeprurës në histori. Ndërsa ka pasur shumë beteja shkatërruese dhe pika kthese në fushatën në Paqësor, Beteja e Okinavës mbahet mend si më e përgjakshmja dhe më e kushtueshmja e luftës, dhe citohej në atë kohë për të arsyetuar përdorimin e mëvonshëm të armëve atomike në tokën japoneze. Foto-reporteri i Zërit të Amerikës, Brian Padden, vizitoi ishullin jugor japonez të Okinavës dhe përgatiti këtë material.

Pushtimi i Okinavës ishte beteja e fundit dhe një nga më të mëdhatë të Luftës së Dytë Botërore.
Aty mori pjesë flota amerikane detare prej mbi një mijë anijesh dhe qindra mijëra trupa.
Luftimet vazhduan për 82 ditë dhe lanë pas fshatra të shkatërruar, pyje të djegur dhe afër 200-mijë të vrarë.
Një muze i vogël në një bazë detare në Okinava ruan fotografitë historike të kohës së luftës.
Kuratori Mark Waycaster thotë se në Okinava, gjenerali japonez Mitsuru Ushijima ndoqi strategjinë e luftës guerile.​

"Qëllimi i tij nuk është për të fituar, por të shkaktuar sa më shumë të vrarë mes forcave amerikane që Shtetet e Bashkuara të kërkonin paqe."

Viktimtat e shumta dhe qëndresa e ashpër në Okinava u përdorën si argument për të justifikuar vendimin për hedhjen e bombave atomike në Nagasaki dhe Hiroshimë për të thyer vullnetin e japonezëve.
Sot në Okinawa, shumë ende kujtojnë betejën e tmerrshme që vrau pothuajse një të tretën e popullatës civile. Bunkerë ushtarake japoneze janë ruajtur si përmendore.

Muzeu i Paqes Himeyuri tregon historinë e gati 200 nxënëseve të cilat ishin rekrutuar për të punuar si infermiere për ushtrinë japoneze. Shumë prej tyre vdiqën në luftime.
Shimabukuro Yoshiko u plagos rëndë gjatë një shpërthimi.
Ajo tregon se oficerët japonezë i paralajmëronin vajzat se po të kapeshin, amerikanët do t’i përdhunonin mizorisht dhe do t’i vrisnin ato. Por një ushtar amerikan i shpëtoi asaj jetën, thotë ajo:

"Dhe pastaj mendova, është ky armiku? Kisha dëgjuar se ata ishin djaj’ dhe kur pashë fytyrën e tij, ai dukej i mirë dhe më tha: Unë jam duke të ndihmuar".

Kujtimet e shkatërrimit të kohës së luftës dhe humbjet e jetës kanë bërë të zëshëm shumë pacifistë në këtë ishull, disa që kritikojnë vazhdimin e pranisë amerikane në ishuj dhe të tjerë që kritikojnë përpjekjet për të fuqizuar ushtrinë japoneze.

XS
SM
MD
LG