Lidhje

72 vjetori i bombës mbi Nagasaki


Kërcënimi në rritje për konflikt bërthamor mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut hodhi hije mbi ceremonitë me rastin e 72 vjetorit të hedhjes së bombës atomike në Nagasaki të Japonisë, në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

"Një ndjenjë e fortë ankthi po përhapet në mbarë botën se në një ardhme jo shumë të largët këto armë mund të përdoren sërish," tha kryebashkiaku i Nagasakit Tomihisa Taue përpara qytetarëve të mbledhur në Parkun e Paqes të këtij qyteti.

Ceremonia u mbajt një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do t’i përgjigjet kërcënimeve të vazhdueshme të Koresë së Veriut me "zjarr dhe furi, që bota nuk e ka parë kurrë më parë".

Kryebashkiaku i Nagasakit kritikoi kryeministrin Japonez Shinzo Abe që refuzoi të hyjë në negociata për Traktatin e OKB-së mbi Ndalimin e Përhapjes së Armëve Bërthamore, duke e quajtur qëndrimin e tij "të pakuptueshëm për ata që jetojnë në qytetet që kanë vuajtur bombardimet atomike".

Gjatë cemonisë përkujtimore u mbajt një minutë heshtje e më pas ra një zile, në të njëjtin moment kur një avion ushtarak amerikan 72 vite më parë hodhi bombën atomike në qytetin port duke vrarë rreth 70 mijë vetë.

Bombardimi i Nagasakit ndodhi tri ditë pasi 140 mijë persona u vranë në një sulm tjetër me bombë atomike në Hiroshima, bomba e parë e përdorur e këtij lloji në botë.

Bombardimet detyruan Japoninë t’u dorëzohej forcat aleate më 15 gusht 1945, duke i dhënë fund konfliktit global gjashtë vjeçar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG