Lidhje

Mitsubishi shkarkon shefin ekzekutiv Ghosn


Carlos Ghosn, një prej drejtuesve më të fuqishëm në industrinë e automjeteve, ka humbur një tjetër titull sot kur bordi i kompanisë ‘Mitsubishi Motors’ e largoi atë nga posti drejtues. Ghosn u arrestua para një jave në Tokjo, nën dyshimet se nuk kishte raportuar të ardhura prej miliona dollarësh. Firma Mitsubishi thotë se vendimi i bordit drejtues ishte i njëzëshëm.

Presidenti i kompanisë Nissan, Hiroto Saikawa, i tha stafit të hënën se përqendrimi i pushtetit tek Ghosn nënkuptonte mungesë të komunikimit të drejtpërdrejtë mes anëtarëve të tjerë të bordit të aleancës.

“Është përgjegjësia ime si menaxher për t’i treguar stafit se çfarë ka ndodhur dhe çfarë duhet bërë tani e tutje.”

Kompania është pjesë e një aleance me firmën Nissan, e cila ditë më parë e largoi zotin Ghosn nga posti drejtues duke thënë se një hetim i brendëshëm tregonte se ai kishte raportuar më pak fitime tek bursa e Tokios, rreth 40 milion dollarë në pesë vite, dhe kishte përdorur fondet e kompanisë për qëllime personale.

Carlos Ghosn i ka hedhur poshtë akuzat. Ai është gjithashtu drejtues i një partneri të tretë në aleancë, Renault, e cila ende nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim ndaj tij.

Nga fundi i viteve 90-të, kur Renault bleu aksionet kontrolluese të firmës Nissan, dërgoi Carlos Ghosn që të drejtonte firmën, i cili vlerësohet se shpëtoi kompaninë Nissan nga pragu i falimentimit.

Në vitin 2016, zoti Ghosn po ashtu mori kontrollin e firmës Mitsubishi pasi Nissan bleu një të tretën e kompanisë, pas skandalit të Mitsubishit për mashtrimin me kilometrazhin.

Sëbashku, të tre prodhuesit e makinave përbëjnë aleancën më të madhe globale, duke prodhuar një në çdo nëntë makina që shiten në botë. Të tre kompanitë punësojmë më shumë se 470 mijë njerëz në afro 200 shtete.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG