Lidhje

Këtë javë në Uashington


Këtë javë, Presidenti Barack Obama do të vazhdojë të mbrojë axhendën e tij ekonomike me një fjalim përpara punëtorëve në shtetin Tenesi. Michael Bowman i Zërit të Amerikës njofton se presidenti i ndërmerr këto përpjekje ndërkohë që në Kongres po bëhen më të qarta qëndrimet lidhur me financimin e qeverisë dhe zbatimin e ligjit të kujdesit shëndetsor të zotit Obama.

Presidenti Obama ka një mesazh për popullin amerikan: edhe në kohë të vështira fiskale, ka shumë gjëra që qeveria federale duhet të bëjë për të mirën e përbashkët.

Amerika duhet të bëjë investimet e domosdoshme për të nxitur zhvillimin afatgjatë dhe begati për të gjithë: duke ndërtuar bazën tonë të prodhimit, duke arsimuar fuqinë tonë punëtore dhe përmirësuar rrjetet tona të transportit e të informimit”.

Por roli aktiv i qeverisë në ekonomi është pikërisht ajo që kundërshtojnë ligjvënësit republikanë. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner ofron një axhendë të bazuar në parimet e tregut të lirë, që sipas tij janë:

“Thjeshtimi i kodit të taksave, pakësimi i rregullave të dëmshme qeveritare dhe përmirësimi i qeverisë jofunksionale”.


Përplasja e vizioneve të dy palëve do të intensifikohet, ndërsa afrohet afati për autorizimin e buxhetit federal të vitit të ardhshëm dhe ngritjen e kufirit të borxhit të qeverisë. Republikanët thonë se çdo ngritje e kufirit huamarrës të qeverisë duhet të shoqërohet me shkurtime buxhetore.

“Në 55 prej 60 vjetëve të fundit, ne kemi shpenzuar më shumë se sa të ardhurat. Shpresoj që dikush të jetë i gatshëm të flasë rreth këtij realiteti”.


Një debat i ngjashëm para 2 vjetësh shkaktoi uljen e nivelit të kreditit të Shteteve të Bashkuara.

“Ne kemi parë një grup të konsiderueshëm ligjvënësish republikanë, që thonë se nuk do të votojnë për pagimin e shpenzimeve të miratuara nga Kongresi, një fiasko që dëmtoi rimëkëmbjen delikate ekonomike në vitin 2011, përsëritjen e së cilës nuk do ta përballojmë dot”.


Zbatimi i ligjit për kujdesin shëndetsor të përballueshëm, i cili njihet si Obamacare, po ndërlikon edhe më shumë gjendjen. Ky ligj i detyron amerikanët të blejnë sigurime private shëndetsore, ndërkohë që jep subvensione për amerikanët me të ardhura modeste. Disa republikanë thonë se nuk do të votojnë për asnjë buxhet që përfshin fonde për ligjin Obamacare. Presidenti Obama ka thënë se nuk do të nënshkruajë asnjë buxhet që nuk përfshin fonde të tilla.
XS
SM
MD
LG