Lidhje

SHBA, veto rezolutës për Jeruzalemin në OKB


Shtetet e Bashkuara i vunë veton një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-s, e cila hedh poshtë njohjen nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.

14 anëtarë të tjerë të Këshillit votuan për të mbështetur projektrezolutëne paraqitur nga Egjipti.

Teksti i rezolutës shpreh "keqardhje të thellë" për deklaratën e zotit Trump këtë muaj që njihte Jeruzalemin si kryeqytet dhe njoftonte fillimin e zhvendosjes së ambasadës amerikane nga Tel Avivi për në Jeruzalem.

Profesori i historisë së Kolegjit Randolph-Macon, Michael Fischbach, i tha Zërit të Amerikës se vendimi i zotit Trump përmbyste politikën e mëparshme të SHBA që kishte vazhduar prej dekadash, si dhe "konsensusin global" kundër njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit.

"Që nga viti '67 Izraeli kontrollonte tërë qytetin, por në bashkësinë ndërkombëtare ekzistonte konsensusi që derisa konflikti arabo-izraelit të zgjidhej përfundimisht dhe paqësisht, asnjë vend nuk do ta paragjykonte rezultatin e asaj që do të ndodhte me Jeruzalemin, sepse vendimi origjinal i OKB-së ishte që kjo të mbahej si një zonë ndërkombëtare," tha Fischbach.

Zoti Trump deklaroi më parë gjatë këtij muaji se vendimi i tij ishte një "njohje e realitetit" se Jeruzalemi nuk është vetëm kryeqyteti historik i popullit hebre, por edhe kryeqyteti i Izraelit modern. Udhëheqësit izraelitë i mirëpritën veprimet e tij, duke përfshirë kryeministrin Benjamin Netanjahu, i cili tha se duke patur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, kjo shënonte "themelin e paqes".

Palestinezët duan që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i një shteti të ardhshëm. Presidenti palestinez Mahmud Abbas tha javën e kaluar se pala e tij nuk do të pranojë më një rol të SHBA në procesin e paqes. Ai foli në një tubim të udhëheqësve arabë ku shumë të tjerë e dënuan vendimin e Trump si të paligjshëm.

Bashkimi Evropian përsëriti qëndrimin e tij se një zgjidhje realiste midis izraelitëve dhe palestinezëve është formula e dy shteteve, me Jerusalemin si kryeqytet të të dyjave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG