Lidhje

Jeta dhe kontributi i anëtares së Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg


Jeta dhe kontributi i anëtares së Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg
Jeta dhe kontributi i anëtares së Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg

Anëtarja e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Ruth Bader Ginsburg, filloi të punonte në fushën e drejtësisë në një kohë kur kishte shumë pak gra avokate. Ajo i ka kushtuar një pjesë të konsiderueshme të karrierës së saj përmirësimit të barazisë për gratë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Julie Taboh intervistoi Gjykatësen Ginsburg për të folur mbi jetën dhe karrierën e saj të jashtëzakonshme.

Më 10 gusht 1993, Ruth Bader Ginsburg u bë gruaja e dytë në historinë e Shteteve të Bashkuara që emërohej Anëtare e Gjykatës së Lartë.

Zonja Ginsburg vendosi të bëhej avokate kur ishte në vitin e tretë në universitet.

Ajo ishte frymëzuar prej ngjarejve gjatë “frikës së kuqe” që kishte pushtuar vendin në vitet ’50, kur amerikanët ishin të shqetësuar prej kërcënimit të Bashkimit Sovjetik. Nën udhëheqjen e Senatorit Joseph McCarty, mijëra njerëz u akuzuan publikisht se ishin komunistë.

“Kishte avokatë të zotë të cilët po i ndihmonin këta njerëz dhe të cilët po i kujtonin Senatit t’i hidhte një vështrim Kushtetutës dhe pikërisht Amendamentit të parë. Nëse avokatët ishin në gjendje të ndihmonin për të rigjetur vlerat tona themelore, ai ishte profesioni që unë doja.”

Prindërit e zonjës Ginsburg nuk donin që e bija të studionte drejtësi, pasi ishin të shqetësuar se ajo nuk do të ishte në gjendje të gjente punë në një profesion të dominuar nga meshkujt. Por zonja Ginsburg ishte e vendosur.

Pas përfundimit të studimeve universitare në universitetin Cornell në vitin 1954, ajo u pranua për specializim në Faklutetin Juridik të Universitetit Harvard, vetëm pesë vjet pasi atje filluan të pranoheshin femrat.

“Kur unë fillova atje, klasa kishte mbi 500 vetë dhe vetëm 9 prej nesh ishim femra.”

Dy vjet më vonë, bashkëshorti i zonjë Ginsburg filloi punë në Nju Jork dhe ajo u transferua tek Universiteti Kolumbia ku edhe përfundoi studimet në vitin 1959.

Por, ashtu siç kishin parashikuar prindërit e saj, ajo u përball me një mjedis profesional të dominuar krejtësisht nga meshkujt dhe gjetja e një pune ishte shumë e vështirë.

“Asnjë firmë në të gjithë qytetin e Nju Jorkut nuk ishte e interesuar të më punësonte.”

Megjithatë, me ndihmën e një profesori, ajo arriti të siguronte një stazh. Pak më vonë, ajo filloi të jepte mësim në Fakultetin Juridik të Universiteteve Rutgers dhe më pas në Universitetin Kolumbia.

Në vitin 1972, zonja Ginsburg krijoi Projektin për të Drejtat e Grave, për të promovuar barazinë e grave dhe vajzave në të gjitha sferat e jetës.

“Në atë kohë kishte shumë e shumë ligje që i jepnin privilegje burrave vetëm për faktin se ishin burra.”

Lenora Lapidus është drejtoreshë e Projektit, i cili është një iniciativë e Bashkimit Amerikan për Liritë Civile.

“Në vitet 70, kur drejtonte Projektin për të Drejtat e Grave, ajo solli në Gjykatën e Lartë shumë çështje njëra pas tjetrës për të vërtetuar se Kushtetuta e ndalonte diskriminimin gjinor.”

Dy dekada më pas, Ruth Bader Gisburg ishte anëtare e po asaj gjykate, e emëruar prej presidentit Bill Klinton.

Sot, gjykatësja 78 vjeçare Ruth Bader Ginsburg thotë se ajo është munduar gjithmonë të bëjë ç’ka beson se është e drejtë.

“Shpresoj të më kujtojnë si një person që e do shumë ligjin, që e do shumë vendin e saj, që do njerëzimin, që vlerëson dinjitetin e çdo individi dhe punon pa u kursyer duke përdorur të gjitha aftësitë e saj, për ta bërë botën pak më mirë seç ishte kur ajo erdhi në të.”

XS
SM
MD
LG