Lidhje

Puna jashtë orarit dhe pushimi


Jeni i dhënë tepër pas iPhonit? Ju ka lodhur Blackberry? Disa kompani po vënë në zbatim një rregull për fikjen e celularëve në tërë organizatën për të rritur produktivitetin.

Jetojmë në një shoqëri që nuk pushon gjatë 24 orëve, ku të gjithë inkurajohemi që të jemi vazhdimisht të lidhur me botën, dhe me punën. Por tani kompanitë kanë filluar t’i kthehen mënyrave më origjinale për të parandaluar rraskapitjen e punonjësve.

Pas viteve në të cilat lehtësia e komunikimit të menjëhershëm përmes postës elektronike dhe celularëve inteligjentë i lejonte sipërmarrësit për të qenë më shumë kërkues ndaj punonjësve, disa kompani kanë filluar të vendosin kufij, duke pranuar se punonjësit e suksesshëm duhet të jenë në gjendje të shpëtojnë nga puna jashtë orarit.

Quirky, një kompani me bazë në Nju Jork , ndihmon të sjellë ide dhe shpikje në treg. Kompania ka nisur një “ndërprerje” një javore një herë në tre muaj gjatë së cilës asnjë punonjës, me përjashtim të atyre që kanë lidhje të drejpërdrejta me klientët, nuk janë të lejuar të punojnë dhe të kontrollojnë postën elektronike. “Ne e kemi vënë në zbatim këtë praktikë, e cila në thelb i kërkon të gjithëve të marrin pushim në të njëjtën kohë, disa herë në vit” thotë shefi ekzekutiv Ben Kaufman.

Për 39-vjeçaren Shirin Majid, përgjegjëse për marketingun dixhital të kompanisë, e cila e ka të vështirë, të gjejë kohë të mjaftueshme për të qëndruar me bashkëshortin dhe vajzën e saj 9 muajshe, është e rëndësishme që ky mesazh vjen direkt nga shefi.

Në 17 vjet pune të marrëdhënieve me publikun, ajo nuk kujton ndonjë rast që të ketë qënë me pushime dhe të mos e kenë marrë në telefon nga zyra. Por Majid thotë se praktika e re e pushimit rrit produktivitetin.

“Kur je i detyruar të shpenzosh kohë jashtë mjedisit të punës, krijimtaria ripërtërihet dhe mund të jesh më objektiv kur analizon punën tuaj. Kjo mënyrë e pushimit i jep trurit tuaj me të vërtetë pushim, kështu që paskëtaj jeni më të përgatitur dhe të rigjallëruar për të rifilluar punën.”

Për herë të parë zonja Majid gëzohej se pushimi përfshinte telefonatat dhe postën elektronike. Askush nuk mund të telefononte nga zyra, sepse nuk kishte njeri në zyrë. Kompani të tjera po eksperimentojnë me strategji të ngjashme.

Në Gjermani, firma BMW pritet të miratojë rregulla të reja për të nxitur një kulturë menaxhimi që vlerëson kufijtë e orarit të punës. Volkswageni shuan postën elektronike të disa punonjësve 30 minuta pasi atyre i mbaron orari i punës. Goldman Sachs po u kërkon punonjësve të rinj të pushojnë gjatë fundjavës.

BMW planifikon rregulla të reja që do të ndalojë kontaktimin e punonjësve jashtë orarit të punës. Pas krizës ekonomike globale, që i detyroi kompanitë të shkurtojnë fuqinë punëtore, punëdhënësit janë duke u përqëndruar në atë se si mund të parandalojnë rraskapitjen e punonjësve.

Kompanive u kushton shtrenjtë zëvendësimi i punonjësve që largohen për shkak të stresit. Një studim i qendrës hulumtuese “Qendra për Progresin Amerikan” llogarit se kostoja e zëvendësimit të stafit është rreth 75,000 dollarë në vit. Kjo shifër është edhe më e lartë për menaxherët kryesorë që largohen. Kështu që mesazhi për punëdhënësit - dhe të punësuarit si Majid – ia vlen ta fikësh celularin dhe të shijosh pushimin me familjen.
XS
SM
MD
LG