Lidhje

John Bolton dhe politika e jashtme e Presidentit Trump


Zgjedhja e re e Presidentit Donald Trump për postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare, ambasadori John Bolton, ka nxitur reagime të forta nga ekspertët e politikës së jashtme dhe ish-diplomatët. Ndërsa disa prej tyre kanë shprehur alarmin dhe të tjerët janë të kënaqur me këtë zgjedhje, ka një pajtueshmëri të gjerë se ky do të jetë ekipi më agresiv i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara i kohëve të fundit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine sjellë më shumë hollësi nga Departamenti i Shtetit.

Komentatori i kanalit Fox News dhe ish ambasadori amerikan në OKB, John Bolton ka bërë thirrje për një sulm ushtarak parandalues kundër Koresë së Veriut dhe ndryshim të regjimit si në Phenian ashtu edhe Teheran.

Muajin e kaluar, zoti Bolton tha se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar mjaft kohë për diplomaci me Korenë e Veriut.

"Ne kemi provuar negociatat në mënyra të ndryshme për 25 vjet. Dhe ato kanë dështuar. Çfarë shprese ka që ato mund të sjellin rezultat tjetër në vitin e 26?", tha ai.

Bolton ka thënë se dështimi diplomatik me Phenianin dhe rritja e një kërcënimi bërthamor nga Koreja e Veriut, ka ndikuar në pikëpamjet e tij ndaj Iranit.

"Unë mendoj se marrëveshja bërthamore me Iranin që Presidenti Obama e nënshkroi në vitin 2015 ishte një gabim strategjik për Shtetet e Bashkuara. Unë mendoj se ata janë duke e shkelur atë. Unë nuk mendoj se ata kanë hequr dorë nga aspiratat e tyre për të prodhuar armë bërthamore", tha zoti Bolton.

Si mbështetësit ashtu edhe kritikët janë dakord se Bolton është shumë më agresiv, një ekspert që ka më shumë të ngjarë të mbështetet në veprime ushtarake sesa në diplomaci, ndryshe nga Këshilltari i tanishëm Kombëtar i Sigurisë Kombëtare, gjenerali H.R. McMaster. Kjo mund të ketë luajtur rol në vendimin e Presidentit Trump për të zgjedhur Boltonin.

"Ai e sheh Boltonin si një bashkatdhetar, një njeri që do të ketë qëndrim më të ashpër ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut, në përputhje me politikën "Amerika e Para" që presidenti po përpiqet të zbatojë, ndërsa shumë prej këshilltarëve të tij po përpiqen t’i rezistojnë dhe ta frenojnë atë", thotë Mark Simakrovsky nga Këshilli Atlantik.

Analistët thonë se tani është pothuajse e sigurt se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

"Mendoj se ndoshta mund të supozojmë në këtë pikë se marrëveshja bërthamore me Iranin është e vdekur, të paktën nga pikëpamja amerikane", thotë Ema Ashford, analiste e Institutit Cato.

Ekspertët thonë se Bolton ka qenë gjithashtu më i ashpër se sa Presidentit Trump ndaj udhëheqësit rus Vladimir Putin.

"Unë mendoj se John Bolton është më i keq për Rusinë. Ai ka qenë një kritik i ashpër i Rusisë gjatë gjithë karrierës së tij, ai ka mbajtur gjithmonë një qëndrim të ashpër ndaj Moskës. Unë mendoj se Bolton mund t’i sugjerojë presidentit disa ndryshime në politikën ndaj Rusisë, si zgjerimi i shitjes së armëve për Ukrainën”, thotë Harry Kazianias nga Qendra për Interesin Kombëtar.

Megjithatë, shumica e analistëve pajtohen, se madje edhe një ideolog i ashpër si Ambasadori Bolton, do të duhet të bjerë dakord me atë që dëshiron Presidenti.

XS
SM
MD
LG