Lidhje

Bie numri i vrasjeve të gazetarëve, por frikësimi vazhdon


Numri i gazetarëve të vrarë në vitin 2016 ishte më i vogël sesa në vitin paraardhës, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve. Por arsyet se pse shifra e këtij viti ishte më e ulët, mund të jetë një shqetësim në vetvete.

Në filim të 2016-ës, Zëri i Amerikës humbi një gazetar nga radhët e veta. Korrespondenti Almigdad Mojalli kishte tre muaj që raportonte për Zërin e Amerikës rreth ndikimit luftës në Jemen kur u vra në detyrë, gjatë një goditje ajrore saudite.

Mojalli ishte një nga 48 gazetarët që humbën jetën gjatë këtij viti, që ose u vranë, u gjendën nën zjarrin e armëve, apo luftimeve, ose në detyra të rrezikshme, sipas shifrave të fundit që publikoi Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Ndërkohë që numri i përgjithshëm është në rënie nga vitet e kaluara, Courtney Radsch, drejtore për mbrojtjen e gazetarëve për këtë organizatë, i tha Zërit të Amerikës se arsyet nuk janë krejtësisht të qarta.

“Një nga përfundimet që mund të nxirren është se disa konflikte janë bërë aq të rrezikshme për gazetarët, saqë thjesht është pakësuar numri i atyre që shkojnë t’i mbulojnë ato ngjarje”.

Kjo është veçanërisht e vërtetë në zonat e shkatërrruara nga lufta në gjithë Lindjen e Mesme. Më shumë se gjysma e të vrarëve, ishin në detyrë në Siri, Jemen ose Irak. Vetëm në Siri, vendi më vdekjeprurës për të pestin vit me radhë, u vranë 14 gazetarë.

Por edhe në vende ku gjasat që gazetarët të vihen në shënjestër për t’u vrarë janë më të vogla, forma të ndryshme censure ose frikësimi janë mbizotëruese, si në Turqi ku llogaritet një e treta e gazetarëve të burgosur të botës, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

“Ne shohim se zonat e konfliktit, vazhdojnë të jenë shumë vdekjeprurëse dhe të rrezikshme për gazetarët por vëmë re gjithashtu se ka shtypje, përpjekje për t’u mbyllur gojën kritikëve, duke i burgosur dhe duke censuruar ato që ata thonë dhe kufizuar se çfarë lejohen të thonë në rrjete sociale”.

Profesori i gazetarisë, Steve Raymer shpjegon nse qeveritë kanë gjetur rrugë për të censuruar gazetarët që janë më pak të vështirë, përfshirë në Rusi.

“Në Rusi, që nga viti 2013 nuk është vrarë asnjë gazetar, sipas raportit, por Rusia ka miratuar aq shumë ligje për t’ua mbytur zërin gazetarëve dhe zërave kritike, saqë ata nuk kanë nevojë të vrasin njerëz, të vrasin gazetarë”.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve arrin në përfundimin se rreth 9 nga 10 gazetarë të vrarë ishin vendas, jo korrespondentë të huaj; një shifër që përputhet me prirjet historike. Grupet politike, mes së cilëve organizata ekstremiste islamiste, ishin përgjegjës për mbi gjysmën e vrasjeve në vitin 2016.

XS
SM
MD
LG