Lidhje

Juncker bën thirrje për një forcë të përbashkët ushtarake evropiane


Kreu i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker bëri thirrje për një komandë evrropiane për një forcë të përbashkët ushtarake të Bashkimit Evropian në fjalimin e tij vjetor mbi gjendjen e organizatës.

Ai tha se "forca diplomatike" e Evropës nuk është më e mjaftueshme për të përballuar sfidat e botës moderne.

"Na duhet të kemi një komandë evropiane. Po ashtu duhet të organizohemi për të punuar për një forcë ushtarake të përbashkët dhe kjo duhet të shërbejë si plotësim për NATO-n. Konsolidimi i mbrojtjes evropiane në Evropë, nuk do të thotë më pak solidaritet transatlantik", tha ai para ligjvënësve evropianë në Strasburg.

Ai bëri gjithashtu thirrje për unitet mes vendeve anëtare në fjalimin e tij, në një kohë kur Bashkimi Evropian po përjeton tensione në rritje mes anëtarëve të tij pas votës së Britanisë për t’u larguar nga BE-ja.

Zoti Juncker tha se Bashkimi Evropian duhet të mbetet në relata miqësore me Britaninë, megjithë votën pro daljes nga BE-ja, por ai shtoi se britanikët nuk duhet të presin se do të kenë të njëjtat lehtësira për qasje në tregun e përbashkët të organizatës, pasi të shkëputen zyrtarisht:

“Mendoj se duhet t’i shohim drejt në sy ata që po na ndjekin nga larg. Miqtë dhe partnerët tanë në botë e kanë ndjekur me shumë keqardhje Brexitin dhe pyesin veten nëse ky është fillimi i shpërbërjes së Bashkimit Evropian. Më lejoni ta them këtu sot se ne e respektojmë, por njëkohësisht na vjen keq për largimin e Britanisë; megjithatë Bashkimi Evropian nuk është në rrezik”.

Zoti Juncker i bëri thirrje Britanisë të fillojë negociatat e shkëputjes sa më parë në mënyrë që të dyjat palët të fillojnë të ecin në drejtimet përkatëse.

Pasi britanikët votuan në qershor për shkëputje, udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë përballur me probleme për ruajtjen e unitetit mes vendeve lindore të cilat kërkojnë reduktimin e kompetencave qendrore që mban Brukseli si dhe të strukturave burokratike.

Përçarjet mes vendeve të ndryshme dolën në pah dje, kur ministri i jashtëm i Luksenburgut Jean Asselborn kërkoi pezullimin e Hungarisë nga BE-ja, pasi tha se në atë vend refugjatët po trajtohen si “kafshë”.

“Një vend që vë gardhe për të penguar refugjatët e ardhur nga lufta, apo që shkel lirinë e shtypit dhe lirinë e gjyqësorit, duhet pezulluar përkohësisht orse ndoshta përgjithëmonë nga BE-ja,” tha zoti Asselborn.

Ministri i jashtëm hungarez u përgjigj me një deklaratë ku e ofendonte homologun nga Luksenburgu duke e quajtur “peshë e lehtë në diplomaci” dhe se nuk mund t’i merrte njeri seriozisht fjalët e zotit Asselborn, pasi pikëpamjet e tij ishin në vijën e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG