Një tjetër incident i përgjakshëm është regjistruar në Afganistan lidhur me përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të tetorit. Një sulm vetëvrasës në një zyrë për shpërndarjen e kartave për identifikimin e votuesve në Kabul ka lënë të paktën 57 të vrarë dhe ka plagosur mbi 100 të tjerë.
Një zëdhënës i ministrisë së brendshme tha për Zërin e Amerikës se njerëzit po prisnin në radhë për të marrë karta që të marrin pjesë në zgjedhje, kur autori i sulmit aktivizoi mjetin plasës që kishte në trup.
Presidenti Ashraf Ghani hapi javën e kaluar procesin e regjistrimit të votuesve, duke u dhënë mundësi autoriteteve zgjedhore të përgatisin lista për zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 20 tetorit. Këto do të jenë zgjedhjet e para në historinë e Afganistanit të zhvilluara bazuar në lista zyrtare të votuesve.
Pas sulmit sot, ambasadori amerikan në Afganistan, John Bass, nxori një deklaratë ku dënonte fuqishëm aktin dhe u përcillte ngushëllime viktimave dhe familjeve të tyre.
Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin përmes një deklarate të publikuar nga agjencia e tyre e lajmeve Amag.
Facebook Forum