Disa shpërthime në Afganistan sot në mëngjes shkaktuan të paktën 24 të vrarë dhe rreth 40 të plagosur. Sulmi më vdekjeprurës ndodhi në Kabul, ku një person hodhi vetën në erë në afërsi të një furgoni.
Ministria e Brendshme afgane tha se 14 persona të tjerë u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën në këtë sulm, përgjegjësinë për të cilin e morën përsipër talibanët. Të vrarët ishin roje të sigurisë nga Nepali, që punonin për ruajtjen e ambasadës kanadeze në Kabul.
Pak orë më vonë një bombë e vendosur nga kryengritësit në një pjesë tjetër të qytetit plagosi një anëtar të një këshilli krahinor bashkë me dy truprojat e tij.
Ndërkohë, në provincën Badakhshan më verilindje të Afganistanit, zyrtarët thanë se të paktën 10 vetë u vranë dhe mbi 30 të tjerë u plagosën nga një mjet shpërthyes në një treg të mbushur me njerëz. Sipas autoriteteve, mes të vrarëve kishte edhe fëmijë.
Askush nuk e mori përsipër përgjegjësinë, ndërsa një zëdhënës i talibanëve tha në një deklaratë se ata nuk kanë të bëjnë me këtë sulm.