Lidhje

Ekspres në hapësirë


Kafja ekspres e stilit italian ka admirues në mbarë botën, madje është shtuar numri i njerëzve që po e lënë kafen e regullt për një variant më të fortë. Tani prodhuesit e makinave italiane të kafes po punojnë për të krijuar një pajisje që do të jetë në gjendje të bëjë kafe ekspres në kushtet e mungesës së rëndesës në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Shumë njerëz nuk mund ta imagjinojnë jetën pa kafe, dhe për shumicën e italianëve kjo do të thotë pa kafen ekspres, që përgatitet në makinë të veçantë.

"Nuk e di në se mund të jetoj pa kafe. Nuk është jetë."

Kur astronautja italiane Samantha Cristoforetti u nis për Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës muajin e kaluar, bashkë-kombasit e saj ishin të shqetësuar sesi do të jetonte ajo për gjashtë muaj duke pirë kafe gjysmë të gatshme.

"Besoj se kur punon si astornaute, një punë ku duhet të marrësh shumë vendime dhe të reflektosh, ekspersi është sigurisht shumë i rëndësishëm."

Për të ndihmuar Cristoforettin dhe adhuruesit e tjerë të ekspresit në hapësirë, kompania e famshme Lavazza me seli në Torino dhe firma inxhinierike Argotec, e specializuar për prodhimin e ushqimeve në hapësirë, bashkuan forcat për të prodhuar një makinë ekspresi që mund të punojë në kushtet e mungesës së peshës.

"Na duhej të punonim për një makinë ekspresi në stacionin hapësinor ashtu si në tokë. Vështirësia tjetër ishte përmbushja e standardeve, që ajo të kualifikohej për në Stacionin Ndërkombëtar."

Makina e quajtur ISSpresso e kapërcen mungesën e gravitetit duke hedhur ujë me presion përmes kapsulës së kafesë. Cristoforetti e mori me vete për ta testuar kur u nis më 23 nëntor.

"Koncepti i kësaj makine ishte për eksperiment, kështu që filloi si një teknologji demonstrimi, por Nasa ishte e interesuar për ta patur makinën në stacion për një kohë të gjatë. Pra, nëse punët ecin siç duhet, pas këtij demonstrimi makina të vazhdojë të qëndrojë në stacion dhe t'u shërbejë të gjithë astronautëve që shkojnë atje".

Italianët e konsiderojnë veten si mjeshtra të kafesë, dhe ndoshta me të drejtë.

"Ne jemi shumë krenarë, jo vetëm si italianë por edhe si banorë të Torinos ku u krijua makina e parë e ekspresit në vitin 1884, 130 vjet më parë. Sot në vitin 2014, dy kompani të tjera në Torino - Lavazza dhe Argotec – prodhuan një makinë që do ta çojë ekspresin jo vetëm në mbarë botën por edhe në hapësirë."

Perveç kafes ekspres, makina ISSpresso mund të përgatisë edhe çaj dhe supë.

XS
SM
MD
LG