Lidhje

Studjuesit: Kafeina rrit kujtesën


Konsumi i kafes dhe çajit shërben jo vetëm për të rritur vëmendjen, por siç duket edhe për të përmirësuar kujtesën. Në këtë përfundim arrin një studim që analizon efektet e kafeinës tek kujtesa.

Pasi pijnë një filaxhan kafe apo çaj, shumë njerëz ndjehen të rigjallëruar dhe gati për t’u përballur me intensitetin e ditës. Por deri tani nuk dihej shumë për efektin e kafeinës tek kujtesa.

Për të zbuluar nëse ka ndonjë ndikim, Mike Yassa dhe kolegët e tij zhvilluan një studim ku u kërkonin një grupi njerëzish të mësonin diçka të re dhe pastaj u jepnin një sasi kafeine.

Mike Yassa, profesor i neurobiologjisë në Universitetin e Kalifornisë në Irvine, ishte pjesë e një grupi studiuesish të interesuar për të parë nëse kafeina, një përbërës aktiv në kafe, çaj dhe çokolatë, mund të ndihmonte edhe në përmirësimin e kujtesës.

"Pasi mëson diçka të re, duhet kohë që kujtesa të aktivizohet dhe ajo që mësove mos të harrohet. Gjatë 24 orëve të para ndodh pjesa më e madhe e harresës. Prandaj, duke ndërhyrë me kafeinë, donim të shihnim nëse mund ta ulnim ritmin e harresës gjatë kësaj periudhe”.

Yassa dhe kolegët e tij mblodhën një grup prej 160 vetësh, që nuk pinin pije me kafeinë, si pjesë e studimit të tyre. Ditën e parë, ata u treguan pjesëmarrësve fotografi të objekteve të përditshme dhe i pyetën nëse këto objekte gjendeshin brenda në shtëpi apo në mjedise të hapura.

Më pas, një numër pjesëmarrësish pinë një tabletë me kafeinë, të tjerët një tabletë pa kafeinë. Të nesërmen, studiuesit u treguan pjesëmarrësve fotografi të tjera.

Yassa thotë se disa prej fotografive që panë ishin identike me ato që kishin parë 24 orë më parë, ndërsa të tjerat ishin të ndryshme. Pjesëmarrësit panë edhe një numër fotografish që ishin të ndryshuara pak; pjesëmarrësve iu kërkua të shpjegonin nëse ishin të njëjtat pamje që kishin parë një ditë më parë.

"Kur u duhej të përdornin kujtesën për t’u përgjigjur, zbuluam se pjesëmarrësit që kishin marrë tabletë me kafeinë, përgjigjeshin saktë në një përqindje mjaft më të lartë”.


Studiuesi Yassa thotë se ata që kishin pirë kafeinë kishin rritje 10-12% në aftësinë për të kujtuar objektet. Sasia e kafeinës që studiuesit përdorën në këtë studim është e barasvlefshme me një filxhan kafe të fortë ose me dy ekspresë. Ai thotë se konsumi i një sasie pak më të madhe kafeine sillte rritje të mëtejshme të kujtesës, por edhe krijonte nervozizëm tek pjesëmarrësit.

Një artikull mbi efektet e kafeinës tek kujtesa është botuar në revistën Nature Neuroscience.
XS
SM
MD
LG