Lidhje

Zgjedhjet paraprake në Kaliforni


Pas zgjedhjeve të mbrëmshme paraprake, demokratët në Kaliforni, që është shteti më i populluar amerikan, janë më pranë synimit për të fituar disa vende shtesë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kandidatët e tyre arritën të kualifikohen për zgjedhjet e nëntorit në disa prej zonave elektorale ku pritet të ketë garë të fortë me republikanët. Synimi i demokratëve në nëntor është të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Kalifornia ka një sistem unik, përsa i përket zgjedhjeve paraprake, ku dy të parët, pavarësisht partive që u përkasin, përballen në zgjedhjet e përgjithshme, që zhvillohen pas pesë muajsh.

Ndërsa kishte shumë kandidatë demokratë që konkuruan, zyrtarët e partisë i druheshin faktit se vota e demokratëve mund të ndahej në shumë pjesë, duke i mundësuar daljen në krye kandidatëve republikanë.

Ndërsa vazhdon numërimi i votave, për të cilin mund të duhen disa ditë, demokratët duket se kanë patur sukses, duke siguruar një kandidat në pothuajse çdo distrikt elektoral të Kalifornisë, përfshi edhe ato të fituara nga republikanët dy vite më parë.

Demokratët synojnë që në Kaliforni, i njohur si një shtet liberal dhe kundërshtar i zotit Trump, të fitojnë disa prej 23 vendeve që u duhen për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Veç Kalifornisë, të martën u zhvilluan zgjedhje paraprake edhe në shtetë shtete të tjera.

Në shtetin e Montanës, kandidati republikan, aktualisht shef i zyrës së financave të shtetit, Matt Rosen do të ndeshet në nëntor ndaj senatorit të tanishëm demokrat Jon Tester. Kjo garë është nga më të rëndishmet për republikanët, të cilët synojnë ta thellojnë diferencën e ngushtë 51 me 49 që gëzojnë në Senat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG