Lidhje

Ligj i debatueshëm në Kamboxhia për Khmerët e Kuq


Më 7 qershor parlamenti i Kamboxhias do të debatojë një projektligj kontradiktor që do të ndëshkonte njerëzit që përpiqen t’i kushtojnë më pak rëndësi krimeve të periudhës së Khmerëve të Kuq. Qeveria thotë se ligji është i domosdoshëm, kritikët thonë se ai është politikisht i motivuar. Korresopondenti i Zërit të Amerikës, Robert Carmichael, na informon nga Pnom Peni.

Origjina e ligjit mund të gjendet në komentet e bëra nga një zyrtar i lartë i opozitës, Kem Sokha. Në një incizim të publikuar nga qeveria muajin e kaluar, Kem Sokha dëgjohet t’i cilësojë torturat e tmerrshme dhe qendrën e ekzekutimit të Khmerëve të Kuq si propagandë të nxitur nga Vietnami.

Kem Sokha thotë se qeveria i ka manipuluar fjalët e tij, ndërsa ajo thotë se nuk e ka bërë një gjë të tillë. Cilado qoftë e vërteta, projektligji për mohimin e krimeve të kryera gjatë periudhës së Kamboxhias Demokratike i paraqitet parlamentit me 7 qershor.

Sipas neneve të tij, ata që gjenden fajtorë dënohen me deri në dy vjet burgim. Subjektet juridike, për të cilat komentatorët thonë se mund të përfshijnë partitë politike, mund të mbajnë përgjegjësi për veprimet e anëtarëve të tyre.

Udhëheqësi i opozitës, Sam Rainsy, beson se autoritetet ka të ngjarë t’i kenë redaktuar deklaratat e Kem Sokhas, në përpjekje për ta bërë atë të duket keq, ashtu siç kanë bërë me komentet e tij publike në të kaluarën. Por duke folur nëpërmjet Skajpit të mërkurën në Klubin e Korrespondentëve të huaj në Tajlandë, zoti Rainsy tha se kjo nuk do të thotë se ai është kundër ligjit për krimet e periudhës së Khmerëve të Kuq.

"Mendoj se zoti Kem Sokha mund të jetë viktimë e disa manipulimeve. Për sa i përket ligjit për ndëshkimin e atyre që akuzohen për gjenocid, unë e mbështes atë plotësisht”.

Të tjerë janë më pak entuziastë për ligjin dhe vënë në dukje kohën e paraqitjes së tij, pasi kamboxhianët shkojnë në votime muajin e ardhshëm. Ou Virak, president i Qendrës Kamboxhiane për të Drejtat e Njeriut, thotë se qëllimi i ligjit është bërë i qartë nga Kryeministri i Kamboxhias, Hun Sen.

“Unë i kam dëgjuar fjalimet e tij të gjata për këtë ligj dhe ai e ka thënë shumë e shumë herë se do që ligji të vërë në shënjestër praktikisht një person dhe ai është Kem Sokha. Ai është tepër i politizuar. Nuk ka të bëjë fare me mohimin e mizorive dhe krimeve të kryera nga Khmerët të Kuq. Ai ka të bëjë me politikën para zgjedhjeve”.

Ou Virak parashikon se ligji do të ngjallë frikë dhe vetcensurë mes qytetarëve kamboxhianë dhe do të pengojë përpjekjet e pajtimit.

Qeveria thotë se ai nuk do ta pengojë debatin dhe këmbëngul se njerëzit që i mohojnë krime të tilla duhet të ndëshkohen për të parandaluar që vendi të shkasë në kaos.

Të tjerë nuk e shikojnë këtë si një argument bindës. Youk Chhang është drejtor i Qendrës së Dokumentimit të Kamboxhias, organizata kryesore e kërkimeve të vendit për krimet e periudhës së Khmerëve të Kuq.

“Nuk kam takuar asnjë person apo të mbijetuar gjatë dy dekadave të kërkimeve të mia, që të mohojë krimet e tmerrshme që kanë kryer Khmerët e Kuq. Çdo kush e beson këtë, edhe vetë anëtarët e Khmerëve të Kuq”.

Youk Chhang është i shqetësuar se ligji do të kufizojë nevojën për të debatuar lirisht dhe për të mësuar të vërtetën që qendron pas periudhës së regjimit të Khmerëve të Kuq, veçanërisht mes të rinjve që nuk e kanë jetuar atë periudhë.

Ai debaton gjithashtu edhe argumentin e qeverisë se kamboxhianët duhet të mos kenë frikë nga ligji, thjesht pasi disa vende evropiane kanë ligje që dënojnë mohimin e gjenocidit.

Youk Chhang thotë se një ligj i ngjashëm në Ruandë, vend që përjetoi gjenocid në vitin 1994, ka mbartur rrezikun e abuzimeve. Në rastin e Ruandës, gazetarët, politikanët dhe akademikët janë burgosur.

“Ligji nuk shëron, siç e dini. Ligji në fakt ndëshkon dhe kompenson. Por tani ne mendojmë reth pajtimit të një shoqërie të ndarë për më shumë se 34 vjet. Prandaj kur mendon rreth ripajtimit, kur mendon për zhvillimin, kur mendon për një Kamboxhia më të mirë, kam bindjen se arsimimi dhe liria e fjalës duhet të përqafohen”.

Por ndërkohë që partia në pushtet kontrollon parlamentin dhe Hun Seni këmbëngul për miratimin e ligjit, ka të ngjarë që shumë shpejt ai të hyjë në fuqi.
XS
SM
MD
LG