Lidhje

Kameron, thirrje për hetim të hapur rreth skandalit të përgjimeve


Kameron, thirrje për hetim të hapur rreth skandalit të përgjimeve
Kameron, thirrje për hetim të hapur rreth skandalit të përgjimeve

Kryeministri britanik David Cameron bëri thirrje për një hetim gjyqësor të hapur për publikun lidhur me skandalin e përgjimit të telefonave në tabloidin britanik News of the World. Kryeministri premtoi rregulla të reja për shtypin britanik dhe një hetim të plotë lidhur me dështimet në punën e policisë dhe të politikanëve rreth skandalit. Ish-zëdhënësi i tij, i cili kishte qenë kryeredaktor i tabloidit është arrestuar lidhur me ngjarjen e përgjimit të telefonave.

Kryeministri David Cameron i bëri komentet gjatë një konference shtypi urgjente në zyrën e tij në Downing Street, pas mbylljes së tabloidit News of the World.

Zoti Cameron tha se skandali i telefonave është "i neveritshëm", "pandershëm” dhe “i ulët”.

"Viktimat e vrasjeve, viktimat e terrorit, familjet që kanë humbur të afërmit e tyre të cilët ndonjëherë kanë qenë duke mbrojtur vendin, që këtyre njerëzve t’u jenë përgjuar telefonat – për të sajuar shkrime gazetash, kjo është e neveritshme," tha zoti Cameron.

Kryeministri tha se do të hapet një hetim i dytë për të parë praktikat që ndiqen në mediat britanike. Ai tha se është e rëndësishme që shtypi britanik të jetë i lirë, por jo mbi ligjin.

"Hetimi i dytë duhet të merret me kulturën, praktikat dhe etikën e shtypit britanik. Në veçanti, duhet të hetohet se si funksionojnë gazetat tona dhe të bëhen rekomandime për të ardhmen. Natyrisht, është detyra ime të garantoj se shtypi ynë është i lirë, është një përbërës thelbësor për demokracinë tonë, për mënyrën tonë të jetës. Por liri nuk do të thotë që shtypi të jetë mbi ligjin. "

Dje, kompania News International njoftoi se do ta mbyllte tabloidin News of the World pas daljes në dritë të skandalit të telefonave. Viktimat e skandalit përfshijnë njerëz të njohur, politikanë dhe viktima vrasjesh.

Kryeministri Cameron hodhi poshtë aludimet se ai nuk kishte gjykuar drejt kur kishte marrë në punë si zëdhënës zotin Andy Coulson, ish-redaktor i tabloidit News of the World. Por ai nuk kurseu ish redaktoren e tabloidit, Rebeka Brooks, e cila ndodhet në qendër të skandalit.

Ajo, ashtu si edhe zoti Coulson, mohon të ketë patur dijeni se gazetarët e tabloidit përgjonin mesazhet telefonike të mijra njerëzve. Ndryshe nga Coulson, 43-vjeçarja Brooke, vazhdon të jetë e punësuar ende nga kompania e Murdoch-ut, News International.

Vendimi për të marrë në punë zotin Coulson ishte i imi dhe vetëm i imi. Unë mbaj përgjegjësi të plotë për këtë vendim,” tha zoti Cameron.

Kompania News International është në pronësi të manjatit australiano-amerikan të mediave, Rupert Murdoch.

XS
SM
MD
LG