Lidhje

Shtyhen zgjedhjet në Kandahar pas vrasjes se dy zyrtarëve të lartë


Komisioni zgjedhor i Afganistanit i ka shtyrë zgjedhjet parlamentare me një javë në provincën jugore të Kandaharit, pas vrasjes së dy zyrtarëve të lartë, një prej të cilëve komandant i lartë i policisë. Arsyet lidhen me zhvillimin e ceremonive të tyre të varrimit.

Komandanti i policisë, gjenerali Abdul Raziq u vra të enjten gjatë një sulmi me armë zjarri gjatë vizitës së gjeneralit të lartë amerikan Scott Miller, i cili nuk pësoi asnjë dëmtim. Gjenerali Miller po vizitonte kompleksin e guvernatorit të Kandaharit në një takim me të dhe zyrtarë të tjerë të provincës.

Gjenerali i vrarë Abdul Raziq i kishte mbijetuar disa sulmeve të mëparshme të talebanëve, por sulmi i së enjtes ishte vdekjeprurës për të dhe shefin e zbulimit të provincës ndërsa guvernatori i Kandaharit u plagos rëndë. Gjatë incidentit u plagosën edhe dy amerikanë një prej të cilëve ushtarak.

Talibanët morën përgjegjësinë për sulmin duke thënë se atë e kreu një person i "infiltruar" që kishte në shënjestër si komandantin e lartë të policisë së Afganistanit Abdul Raziq ashtu edhe gjeneralin amerikan Miller.

Sipas një zëdhënësi ushtarak amerikan (Dave Butler), gjëndja shëndetsore e amerikanëve të plagosur është e qëndrueshme, duke shtuar se sulmuesi ka vdekur dhe se zona është e sigurt.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG