Lidhje

Kandidatët demokratë për president përpiqen të kualifikohen për debatin e radhës


Nga mbrëmja e dytë e debatit të kandidatëve demokratë për president
Nga mbrëmja e dytë e debatit të kandidatëve demokratë për president

Kandidati demokrat për president Julian Castro mori një lajm të mirë këtë javë. Ai u bë demokrati i 10-të që u kualifikua për të marrë pjesë në debatin presidencial demokrat të muajit të ardhshëm në Houston, Texas. Por disa demokratë të tjerë ka shumë gjasa të mos përfshihen në debatin e radhës, gjë që do t’i dëmtojë shanset e tyre për të siguruar mbështetje në betejën presidenciale me shumë kandidatë dhe shpesh kaotike brenda partisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone njofton nga Uashingtoni.

Për Julian Castron, një periudhë aktivitet intensiv fushate ka sjellë rezulat, duke siguruar përfshirjen në raundin e tretë të debateve demokrate muajin e ardhshëm.


"Dhe besoj se mund të bëhemi edhe më të fortë. Kemi edhe pesë muaj deri në zgjedhjet paraprake në Iowa dhe New Hampshire. Dhe deri atëherë, nëse punojmë intensivisht, unë mund të bëhem kandidati kryesor”, thotë zoti Castro.

Por, nuk ka qenë njëlloj për kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, i cili po has vështirësi të kualifikohet për debatin e radhës.

"Është një objektiv i vështirë për ne. Kemi punuar në këtë drejtim dhe mënyra si e shoh unë është që nëse nuk hyjmë në debatin e shtatorit, të mund të përfshihemi në tetor”, thotë zoti de Blasio.

Numri i madh i kandidatëve demokratë ka filluar ngadalë të tkurret me daljen nga gara të guvernatorit të shtetit të Uashingtonit, Jay Inslee dhe ish-guvernatorit të Kolorados, John Hickenlooper, i cili tani po kandidon për në Senat.

"Por kjo nuk është koha për t’u larguar nga tryeza. E di që është e vështirë të ndryshohet Uashingtoni, por dua ta provoj", thotë zoti Hickenlooper.

Demokratët e tjerë ende po e vazhdojnë garën, pavarësisht shifrave të ulëta në sondazhe, përfshirë senatorin e New Jersey-t, Cory Booker.

"Dhe të qëndrojmë së bashku dhe punojmë së bashku, të duam së bashku dhe ta kapërcejmë errësirën e tij me dritën tonë! Kjo është thirrja e vendit tonë dhe është koha që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ngrihen përsëri! Faleminderit!", deklaroi zoti Booker.

Senatori Booker do të jetë në debatin e rradhës, ashtu si dhe senatorja nga Minesota, Amy Klobuchar.

Kam në plan ta vazhdoj ta sfidoj Donald Trumpin. Do të vazhdoj të argumentoj për një program optimist ekonomik për vendin", thotë zonja Klobuchar.

Por për ata që nuk arrijnë të kualifikohen për debatin tjetër, rruga e fushatës veçse bëhet më e vështirë, thotë analistja Susan Page:

Kemi serinë e tretë të debateve në fillim të shtatorit dhe kualifikimi për ato debate është i vështirë. Mendojmë se numri i tyre do të zvogëlohet. Dhe kur një kandidat nuk hyn në debat, bëhet më e vështirë të grumbullojë para për të siguruar mbështetje për të qëndruar në garë."

Por, me mbi 20 kandidatë për president, muajt e ardhshëm do të jenë vemdimtarë për disa nga kandidatët që nuk kanë siguruar shumë mbështetje, thotë analisti Darrell West:

"Mendoj se një numër kandidatësh do të dalin nga gara brenda një ose dy muajve të ardhshëm. Me siguri ata që nuk kualifikohen për debatet e ardhshme në shtator, do të shohin që fondet e tyre do të tkurren dhe ata që do të humbasin platformën e mediave. Kështu që kandidaturat e tyre në thelb do të marrin fund."

Ish-nënpresidenti Joe Biden vazhdon të udhëheqë mes kandidatëve demokratë, pasuar nga Senatorja nga Masaçusets Elizabeth Warren, Senatori nga Vermonti Bernie Sanders, Senatorja nga Kalifornia Kamala Harris dhe Kryetari i Bashkisë i qytetit South Bend të Indianës, Pete Buttigieg.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG