Lidhje

Karzai për marrëveshjen e sigurisë SHBA-Afganistan


Presidenti afgan Hamid Karzai thotë se do të presë deri në zgjedhjet presidenciale të prillit për të nënshkruar një marrëveshje sigurie me Shtetet e Bashkuara.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, e cila financohet nga qeveria amerikane, zoti Karzai tha se marrëveshja është në interesin më të mirë të vendit të tij. Por ai shtoi se Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund sulmeve ndaj banesave të afganëve dhe të ndihmojnë në rifillimin e procesit të ngecur të paqes, para se ai të nënshkruajë marrëveshjen dypalëshe mbi sigurinë.

Presidenti Karzai përsëriti gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ndërhyjnë në zgjedhjet e prillit të vendit të tij. Kuvendi i Afganistanit, Loya Jirga, i ka kërkuar zotit Karzai që ta nënshkruajë menjëherë marrëveshjen, e cila kërkon që trupat amerikane të qëndrojnë në Afganistan pas vitit 2014 për të ndihmuar qeverinë në luftën kundër talebanëve.

Në një tjetër intervistë në televizionin afgan, Këshilltarja e Presidentit Obama për Sigurinë Kombëtare, Susan Rice, tha se ishte zhgënjyer nga takimi i së hënës me zotin Karzai, kur ai kishte thënë se nuk ishte i përgatitur për ta nënshkruar menjëherë marrëveshjen. Ajo shtoi se në se marrëveshja nuk nënshkruhet deri në fund të vitit, Shtetet e Bashkuara do të duhet t’i tërheqin të gjitha trupat nga Afganistani pas vitit 2014.
XS
SM
MD
LG