Lidhje

Uashingtoni kërkon fakte të qarta për vrasjen e Kashogit


Në Uashington vazhdojnë paqartësitë lidhur me vdekjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, me banim të Shtetet e Bashkuara, si dhe ndërlikimet e kësaj ngjarjeje në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite. Presidenti Trump vazhdimisht i është shmangur pyetjeve që lidhen me princin saudit, mes njoftimeve se CIA ka arritur në përfundimin se Princi Mohammed bin Salman dha urdhërin për vrasjen e muajit të kaluar në ambasadën saudite në Turqi.

Rreth dy muaj pas një krimi të frikshëm dhe disa javë me histori dhe deklarata të ndryshme nga Rijadi, Presidenti Donald Trump nuk po vë ende gishtin tek personi që urdhëroi vrasjen e Jamal Khashoggi-t.

“Do të kemi një raport të plotë në dy ditët e ardhshme, ndoshta të hënën, ose të martën”- tha Presidenti.

“Është e vërtetë se CIA arriti në përfundimin se vrasja është bërë me urdhër të Mohammed bin Salman-it?”- pyeti një gazetar.

“Ende nuk ka një përfundim të qartë, ishte një raport i parakohshëm. Por ka mundësi të jetë edhe kështu, do ta shohim.”- tha Presidenti.

Në një intervistë në televizionin “Fox News” të dielën, zoti Trump tha se princi i kurorës i kishte thënë “ndoshta 5 herë” se ai nuk ishte përfshirë në vrasjen e Khashoggi-t. Presidentin e pyetën nëse ekzistonte mundësia që Mohammed bin Salmani ta kishte gënjyer.

“Nuk e di, e kush mund ta dijë? Por mund të them se ka shumë njerëz që thonë se ai nuk ishte në dijeni për vrasjen”,tha Presidenti.

“E kam shumë të vështirë ta përfytyroj që vrasja e një gazetari të njohur dhe kritik të jetë kryer pa dijeninë e princit të kurorës.”tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff, anëtar i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Demokratët në Kongres po i bëjnë thirrje zotit Trump t’i pranojë konkluzionet e komunitetit të zbulimit.

“Është shumë e rëndësishme që kjo administartë të mos lejojë të bëhet pjesë e një përpjekjeje saudite për të mbuluar një përfshirje të princit të kurorës. Sauditët e kanë minuar pozicionin e vet në botë”, – tha ligjvënësi Schiff.

Cilidoqoftë vlerësimi i CIA-s, Departamenti i Shtetit këmbëngul që ende nuk ka një rezultat përfundimtar se kush e urdhëroi vrasjen e Khashoggi-t. Disa republikanë po bëjnë thirrje për durim.

“Të shohim çdo të thotë Presidenti të martën…Nëse do të merremi me këtë marrëdhënie, që ka ndikim në balancën e pushtetit të Lindjen e Mesme, kjo ndikon edhe tek ekuilibri me Iranin, që shihet qartë se është një aktor i keq; duhet të jemi plotësisht të sigurtë, që të dimë me saktësi ato që thuhen për vrasjen e Khashoggi-it.”- tha ligjvënësi republikan Roy Blunt.

Përveç shqetësimeve gjeo-strategjike, zoti Trump ka thënë se Arabia Saudite gjeneron “shumë vende pune, biznese dhe zhvillim ekonomik” për Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG