Lidhje

Katalonjë: Aplikacion për protesta masive që shmang autoritetet


Një grup pro-pavarësisë në rajonin e Katalonjës në Spanjë po përdor një aplikacion për telefonat inteligjentë për të shmangur autoritetet, ndërsa vazhdojnë të shtohen protestat pas burgosjes së disa prej drejtuesve të lëvizjes.

Grupi “Cunami Demokratik” ka vënë në përdorim aplikacionin për të koordinuar demonstratat në të gjithë rajonin. Objektivi më i fundit ishte ndeshja e futbollit me famë botërore El Clasico, mes Barcelonës dhe Realit të Madridit që u mbajt më 18 dhjetor. Në ambjentet jashtë stadiumit pati përleshje të dhunshme dhe loja u ndërpre pasi protestuesit hodhën në fushë topa me parulla pro-pavarësisë.

“Cunami Demokratik” nuk ka ndonjë udhëheqës në dukje dhe ata që qëndrojnë pas, janë anonimë. Javët e fundit grupi ka mobilizuar me mijëra protestues brenda pak minutash duke i kapur autoritetet në befasi.

"Funksionon në mënyrë të decentralizuar, në kuptimin që nuk mund të përcaktohet se kush po i nis njoftimet për protestat", thotë profesori Enric Lujan, ekspert i shkencave politike në universitetin e Barcelonës.

"Aplikacioni është krijuar në mënyrë që të shmangë mundësinë që autoritetet të dinë se kush qëndron pas “Cunamit Demokratik”, që është makthi më i madh, për shembull, i ministrisë të Brendshme të Spanjës”, thotë ai.

Zoti Lujan thotë gjithashtu se aplikacioni “Cunami Demokratik” operon sipas hapash të caktuar për të ruajtur anonimitetin.

"Aplikacioni nuk mund të shkarkohet nga kanale të zakonshme të tilla si Google Play Store apo nga aplikacionet e iPhone-it. Duhet t’u niset një email i posaçëm që do t’u mundësojë ta shkarkoni direct atë", thotë ai.

Edhe pasi të jetë shkarkuar aplikacioni ka nevojë të aktivizohet nga një përdorues tjetër që ka marrë miratim, shpjegon inxhinierja e programeve kompjuterike Silvia Puglisi e universitetit Politeknik të Katalonjës.

"Shkoni në një protestë dhe shkëmbeni një kod. Pasi shkëmbehen kodet ju jeni pjesë e sistemit", thotë ajo.

“Cunami Demokratik” është rritur me shpejtësi brenda pak muajsh, duke organizuar protesta që kanë paralizuar aeroportin e Barcelonës dhe autostradën kryesore deri në kufi me Francën. Gjykata Kombëtare e Spanjës ka urdhëruar mbylljen e faqes në internet të grupit duke argumentuar se përbën një vepër të mundshme terrorizmi. Autoritetet në Madrid burgosën në tetor nëntë udhëheqës të Katalonjës pro-pavarësisë nën akuzën për kryengritje.

Partia “Piratët e Katalonjës” e kanë ankimuar çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke pretenduar se hetimi për terrorizëm është një abuzim me të drejtat themelore të njeriut.

Ekspertët thonë se nëse kodi vihet në dispozicion, aplikacioni mund të përdoret nga lëvizje të tjera, siç janë demonstratat pro-demokracisë në Hong Kong.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG